BE-ја thotë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk dëmtohet për shkak të Lajçakut

BE-ја thotë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk dëmtohet për shkak të Lajçakut

Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) kanë vlerësuar se përfshirja e ish-Përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, në dosjen Epstein nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, transmeton Anadolu.

Zyrtarë evropianë kanë insistuar se lidhjet e Lajçakut me dosjen Epstein nuk kanë pasur ndikim në dialogun Kosovë-Serbi në të cilin ai ndërmjetësoi për pesë vjet.

“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare”, tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti аmerikan i Drejtësisë, emri i Lajçakut përmendet qindra herë. Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet me Jeffrey Epsteinin, i dënuar për krime seksuale, Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri te ato personale, përfshirë edhe gratë dhe vajzat e reja që, sipas dokumenteve, Epstein i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare.

Lajçak fillimisht kishte mohuar se kishte pasur kontakte me Jeffrey Epsteinin, por ditë më parë u detyrua të dorëhiqet nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi dolën prova konkrete që dëshmonin të kundërtën.

Lajçak ka qenë përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi për një periudhë pesëvjeçare, deri në fillim të vitit 2025, ndërsa për disa herë me radhë ai ishte përballur me akuza për njëanshmëri në këtë proces.

MARKETING