BDI: Ai që e braktisi Çairin dhe u shpërngul në Butel, nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve sërish

Në një konferencë për media të mbajtur sot nga përfaqësuesi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Sopa, u drejtuan akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidatit të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në lidhje me të kaluarën e tij politike dhe vendbanimin aktual.
Sipas Sopës, Mexhiti i cili më parë ka shërbyer për tre mandate si kryetar i Komunës së Çairit, e ka braktisur këtë komunë dhe aktualisht banon në Butel. “Nëse e do me të vërtetë Çairin, pse u largua pas tre mandateve dhe u shpërngul në Butel?”, pyeti Sopa, duke shtuar se kjo tregon për një “dashuri interesi” ndaj komunës, e udhëhequr nga ambiciet personale të kandidatit të VLEN-it.
Ai tha gjithashtu se dokumentet zyrtare konfirmojnë vendbanimin e ri të Mexhitit dhe se edhe një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij janë shpërngulur nga Çairi. “Çairi nuk ka nevojë për liderë që e përdorin si trampolinë politike, por për dikë që jeton me qytetarët dhe i njeh sfidat e tyre nga afër”, theksoi përfaqësuesi i BDI-së.
Sopa përfundoi duke u bërë thirrje qytetarëve të Çairit që të reflektojnë mbi të kaluarën e kandidatit të opozitës dhe të zgjedhin një udhëheqës që është “realisht i përkushtuar ndaj komunitetit”.