BBC-ja u kërkon punonjësve të çinstalojnë TikTokun
Rrjeti Transmetues Britanik, i njohur si BBC, i ka kërkuar stafit që ta fshijnë aplikacionin kinez TikTok nga telefonat celularë të korporatave.
Në udhëzim iu tha punonjësve se nëse s’e përdorin për arsye biznesore, aplikacioni të fshihet për shkak të sigurisë së ulët të këtij rrjeti social.
“Ne nuk rekomandojmë instalimin e TikTokut në një pajisje të korporatës, përveç nëse ka ndonjë arsye të justifikueshme. Nëse nuk ju duhet TikToku për arsye biznesi, duhet të fshihet”, u tha në reagim.
Kjo masë vjen pasi qeveria britanike e ndaloi aplikacionin në telefonat e zyrtarëve publikë, me arsyetimin se të dhënat e tyre janë shumë lehtë të qasshme.
“Vendimi bazohet në shqetësimet e ngritura nga autoritetet qeveritare në mbarë botën, në lidhje me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave. BBC-ja u kërkoi punonjësve që kanë TikTok në telefonat e tyre personalë, por që i përdorin ato pajisje për arsye pune, të kontaktojnë me ekipin e sigurisë së informacionit të organizatës, në mënyrë që të diskutojnë llojin e informacionit të BBC-së me të cilin punoni”, u tha në reagim.
Korporata mediale tha se përdorimi i këtij rrjeti social mund të ketë pasoja të rënda në cenimin e privatësisë.