Banorët serbë të Kosovës organizohen për të votuar në Serbi

Banorët serbë të Kosovës organizohen për të votuar në Serbi

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, janë nisur drejt Serbisë qysh në orët e hershme të së dielës, për ta shfrytëzuar të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare.

Autobusët me punëtorë, kryesisht të punësuar në institucionet serbe në Kosovë, do të nisen çdo orë drejt Serbisë.

Përveç tyre, ka banorët serbë që janë organizuar për të udhëtuar edhe me makina private.
Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë, Bërnjak dhe Merdare – është raportuar për kolona të gjata.

Banorët serbë të Kosovës do të mund të votojnë në katër qytete të Serbisë – Kurshumli, Rashkë, Tutin dhe Vranjë – pasi Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ata janë organizuar kësisoj edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të 3 prillit të vitit 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Beogradi zyrtar të nisë kërkesë të drejtpërdrejtë te Prishtina zyrtare për organizim zgjedhjesh, dhe jo që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të jetë ndërmjetësuese në Kosovë.

MARKETING