Banorët e Gazës kërkojnë të afërmit e tyre të arrestuar nga Izraeli

Banorët e Gazës kërkojnë të afërmit e tyre të arrestuar nga Izraeli

Palestinezët që u strehuan në shkolla, spitale dhe objekte të OKB-së në Rripin e Gazës për shkak të sulmeve dhe bllokadës izraelite, po përpiqen të gjejnë informacione për të afërmit e tyre që ushtria izraelite i ka arrestuar në bastisje.

Gjatë ofensivës vdekjeprurëse në Gaza, ushtria izraelite ka arrestuar palestinezë, si të rritur, ashtu edhe fëmijë.

Pas bastisjes së një shkolle në kampin e refugjatëve Al-Bureij në Gazën qendrore, ushtria arrestoi shumë palestinezë që ishin strehuar në objekt.

Nidal Mansour nga Gaza tha për Anadolu se ushtria bastisi një shkollë në kampin ku familja e tij kishte gjetur strehë.

“Nëpërmjet altoparlantëve, ata kërkuan nga të gjithë burrat që të shkonin në oborrin e shkollës dhe gratë dhe vajzat të zbrisnin në katin e parë”, tregon ai.

“Ushtarët i detyruan burrat dhe fëmijët të zhvishen dhe të qëndrojnë me të brendshme. Ata i rreshtuan në murin e shkollës përpara se t’i çonin shumicën në një vend të panjohur”, tha Mansour, megjithëse ai ishte kursyer.

Mansour njoftoi se në mesin e të arrestuarve ishin babai i tij Abdulfattah, vëllai Edip, djali Mohammed dhe nipi Salih. Ai tha se janë arrestuar edhe persona nga familje të tjera.

Ushtria arrestoi pothuajse të gjithë burrat nga shkolla, duke përfshirë fëmijë, shpjegoi ai.

“Për shkak të bombardimeve intensive nga ushtria izraelite dhe gjuajtjes ndaj kujtdo që hyn në kamp, askush (më) nuk mund të hyjë në kampin e refugjatëve Al-Bureij”, tha Mansour.

Mjetet e vogla ajrore pa pilot që fluturojnë në lartësi të ulëta mbi kamp qëllojnë këdo që është në lëvizje, shtoi ai.

Dëshmitarë kanë njoftuar se që nga 4 janari, ushtria është përpjekur të hyjë në brendësi të kampit nga toka, duke çuar në luftime intensive midis luftëtarëve të rezistencës palestineze dhe forcave izraelite.

Seif Magango, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), ka shprehur shqetësimin për sulmet e vazhdueshme izraelite në Gazën qendrore, duke vënë në dukje se ka pasur më shumë se 50 sulme ajrore vetëm në datat 24-25 dhjetor.

MARKETING