Banorët e Gazës i drejtohen djegies së mbetjeve plastike për të prodhuar karburant mes bllokadës izraelite

Palestinezët në Rripin e Gazës po shpikin zgjidhje alternative për të përmbushur nevojat thelbësore, përfshirë prodhimin e karburantit nga mbetjet plastike, për të përballuar mungesën gjithnjë e më të thellë të karburantit në mes të bllokadës së vazhdueshme izraelite, raporton Anadolu.
Duke djegur mbetje plastike dhe goma makinash, më pas duke i nënshtruar materialet proceseve si distilimi, kondensimi dhe rafinimi për të nxjerrë karburant të papërpunuar, palestinezët po prodhojnë në mënyrë të pavarur burime jetike për të furnizuar automjetet dhe veçanërisht gjeneratorët në spitale.
Derisa ky karburant i prodhuar në mënyrë lokale luan një rol thelbësor në ndihmën ndaj palestinezëve për të përballuar jetën e përditshme në kushte të tmerrshme, ai paraqet rreziqe serioze shëndetësore për ata që ndodhen afër zonave të prodhimit për shkak të emetimeve toksike dhe mungesës së rregullimit të procesit.
Karburanti i prodhuar në një punishte me 30 punëtorë është burimi i vetëm i rajonit për të përmbushur nevojat për karburant të banorëve gjatë bllokadës izraelite.