Bahreini që nga 28 shkurti ka shkatërruar 86 raketa dhe 148 dronë të lëshuar nga Irani

Bahreini që nga 28 shkurti ka shkatërruar 86 raketa dhe 148 dronë të lëshuar nga Irani

Bahreini ka njoftuar se që nga 28 shkurti ka shkatërruar 86 raketa dhe 148 dronë të lëshuar nga Irani që synonin mbretërinë, transmeton Anadolu.

Komanda e Përgjithshme e Forcave të Mbrojtjes së Bahreinit tha se “sistemet e mbrojtjes ajrore, që nga fillimi i sulmeve iraniane, kanë interceptuar dhe shkatërruar 86 raketa dhe 148 dronë që synonin mbretërinë”.

Komanda u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin daljet përveç rasteve të domosdoshme, duke i nxitur të tregojnë nivelin më të lartë të kujdesit për të garantuar sigurinë e tyre.

Ajo theksoi se përdorimi i raketave balistike dhe dronëve për të goditur objekte civile dhe pronë private përbën “një shkelje flagrante të së drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së”.

Po ashtu theksohet se këto sulme “pa dallim” paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë rajonale.

Më herët, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij do të përmbahet nga sulmet ndaj shteteve fqinje nëse sulmet ndaj Iranit nuk nisen nga territori i tyre.

Që nga 28 shkurti, Irani ka lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane. Disa nga sulmet kanë shkaktuar viktima dhe dëme në objekte civile, përfshirë porte dhe ndërtesa banimi.

Teherani thotë se këto sulme erdhën si përgjigje ndaj një fushate ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit që ka vrarë qindra njerëz, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

MARKETING