Avioni ushtarak turk i mallrave rrëzohet në Gjeorgji
Një avion ushtarak turk mallrash C-130, i cili po udhëtonte nga Azerbajxhani për në Turqi, është rrëzuar në Gjeorgji, tha të martën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, transmeton Anadolu.
“Jemi thellësisht të trishtuar kur mësuam se një nga avionët tanë ushtarakë C-130, i cili po udhëtonte nga Azerbajxhani për në vendin tonë, është rrëzuar pranë kufirit Gjeorgji-Azerbajxhan”, tha presidenti Erdogan në një aktivitet në kryeqytetin turk, Ankara.
“Operacionet tona të kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në koordinim me autoritetet kombëtare. Zoti i mëshiroftë martirët tanë”, shtoi ai.
Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, avioni mbante 20 persona, përfshirë ekuipazhin e fluturimit ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar.
Ministria turke e Mbrojtjes tha gjithashtu në llogarinë e medias sociale të kompanisë amerikane X se “Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë filluar në koordinim me autoritetet gjeorgjiane”.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, gjithashtu shprehu “dhimbjen e tij të thellë” për incidentin, duke deklaruar në një postim në platformën turke sociale NSosyal se përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë ende në vazhdim.
Yerlikaya tha se ka biseduar në telefon për aksidentin me homologun e tij gjeorgjian, Gela Geladze, i cili, sipas tij, ishte gjithashtu në rrugë drejt vendngjarjes.
Drejtori i Komunikimeve i Turqisë, Burhanettin Duran, po ashtu përsëriti në NSosyal se operacionet e kërkim-shpëtimit nisën “menjëherë” pas rrëzimit të avionit.
“Për të siguruar informimin e saktë të publikut, i bëjmë thirrje të gjithëve të mbështeten vetëm në deklaratat e lëshuara nga autoritetet zyrtare dhe të përmbahen nga shpërndarja e informacionit të paverifikuar”, shtoi ai.
– Përpjekjet e Gjeorgjsë për kërkim-shpëtim
Sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, ministri i Jashtëm Hakan Fidan ka zhvilluar bisedë telefonike me homologen e tij gjeorgjiane, Maka Bochorishvili, për të diskutuar mbi përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Bochorishvili gjithashtu ka shprehur ngushëllimet e saj për aksidentin ajror.
Në një postim në NSosyal, Fidan tha se Turqia po e ndjek nga afër situatën në bashkëpunim me autoritetet gjeorgjiane.
Duke komentuar mbi incidentin, autoriteti gjeorgjian i menaxhimit të trafikut ajror, “Sakaeronavigatsia”, tha se aeroplani ushtarak transportues u rrëzua pranë kufirit me Azerbajxhanin, ndërsa më pas u dërgua një ekip kërkim-shpëtimi.
Në një deklaratë në Facebook, autoriteti tha se aeroplani u zhduk nga radari disa minuta pasi hyri në territorin gjeorgjian, pa transmetuar asnjë sinjal.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha gjithashtu në Facebook se incidenti po hetohet sipas një neni të Kodit Penal të vendit, i cili “nënkupton shkelje të rregullave të sigurisë ose funksionimit të transportit ajror, që ka rezultuar me humbje jete”.
– Ngushëllime nga Azerbajxhani
Pas rrëzimit të avionit, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij turk dhe shprehu ngushëllime për incidentin.
“Gjatë bisedës telefonike u theksua se institucionet shtetërore përkatëse të Azerbajxhanit dhe Turqisë janë në kontakt lidhur me incidentin”, thuhet në një deklaratë të presidencës së vendit.
Nënpresidenti turk Cevdet Yilmaz gjithashtu foli me kryeministrin azerbajxhanas Ali Asadov, duke diskutuar situatën aktuale.
Në një postim në NSosyal, Yilmaz tha se Asadov përcolli ngushëllimet dhe solidaritetin e Azerbajxhanit, duke theksuar se vendi po e ndjek nga afër situatën.
Yilmaz falënderoi udhëheqësin azerbajxhanas për “ngushëllimet e sinqerta” dhe u lut për personelin e rënë.

