Avionët luftarak izraelitë godasin një ndërtesë në Libanin jugor

Avionët luftarak izraelitë kanë nisur një seri sulmesh ajrore, duke vënë në shënjestër disa vendndodhje në Libanin jugor, transmeton Anadolu.
MARKETING
Sipas mediave lokale, të paktën një person u vra dhe një tjetër u plagos në sulmet izraelite, që shënojnë shkeljet e fundit të marrëveshjes së armëpushimit.
Një nga sulmet goditi një ndërtesë në qytetin Toul, që ndodhet në provincën Nabatieh. Pamjet nga vendi i ngjarjes kapën momentin kur sulmi ajror goditi ndërtesën, pas çka mbërritën kamionët e zjarrfikësve, ambulancat dhe punonjësit e urgjencës për t’iu përgjigjur pasojave.
Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, shpërndau një hartë në mediat sociale duke nënvizuar si objektiv një ndërtesë në Toul, afër provincës Nabatieh. Ai pretendoi se ndërtesa i përkiste Hezbollahut dhe bëri thirrje për evakuimin e strukturave përreth.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Libanit më 27 nëntor të vitit 2024, Izraeli shpesh ka shkelur kushtet e armëpushimit. Gjatë sulmeve tokësore, forcat izraelite hynë në disa qytete kufitare dhe vazhdojnë të mbajnë një prani ushtarake në pesë pozicione, pavarësisht klauzolës së tërheqjes në bazë të marrëveshjes.
Përmes sulmeve ajrore dhe tokësore, Izraeli ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në rajonet kufitare dhe disa muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit ushtria izraelite vazhdon të vendosë në shënjestër automjete dhe vende specifike në Libanin jugor duke përdorur drone.
Autoritetet libaneze kanë raportuar rreth 3 mijë shkelje izraelite të armëpushimit, duke përfshirë vrasjen e më shumë se 200 personave dhe plagosjen e të paktën 500 të tjerëve që nga nëntori i vitit kaluar.