Austria ndalon TikTok-un në pajisjet shtetërore

Austria ndalon TikTok-un në pajisjet shtetërore

Austria njoftoi të mërkurën se ka ndaluar përdorimin e rrjetit social TikTok në telefonat zyrtarë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, tha për shtypin se vendimi ishte marrë në përputhje me rekomandimet e një komiteti ekspertësh të formuar nën ministrinë në shkurt, transmeton Telegrafi.

Duke vënë në dukje se zyrtarët publikë mund të përdorin TikTok-un në pajisjet e tyre personale, Karner deklaroi se përdorimi i këtij aplikacioni në telefonat celularë zyrtarë në nivel federal është i ndaluar dhe se aplikacioni në fjalë i përket Kinës, gjë që ngre shqetësime të ndryshme për sigurinë e informacionit dhe të dhënave.

Së bashku me qeverinë federale, shteti i Austrisë së Epërme ka ndaluar gjithashtu përdorimin e TikTok-ut në telefonat celularë të korporatave të punonjësve të tij për arsye të ngjashme.

Shumë vende në Evropë dhe SHBA e kanë ndaluar tashmë platformën kineze të mediave sociale në pajisjet zyrtare që iu përkasin punonjësve publikë.

MARKETING