Australia dëbon të dërguarin iranian, fajëson Teheranin për drejtimin e sulmeve antisemite në vend

Australia dëbon të dërguarin iranian, fajëson Teheranin për drejtimin e sulmeve antisemite në vend

Australia ka dëbuar ambasadorin iranian dhe ka pezulluar operacionet në ambasadën e saj në Teheran, duke pretenduar se vendi drejtoi një seri sulmesh antisemite në tokën australiane, transmeton Anadolu.

Duke njoftuar vendimin, Kryeministri Anthony Albanese tha sot se Organizata Australiane e Inteligjencës së Sigurisë (ASIO) kishte mbledhur “informacione të besueshme” që lidhin qeverinë iraniane me sulmet në Lewis Continental Kitchen në Sydney dhe Sinagogën Adass Israel në Melbourne vitin e kaluar.

“Që nga ngjarjet e tmerrshme të 7 tetorit 2023, kemi qenë dëshmitarë të një numri sulmesh të tmerrshme antisemite kundër komunitetit hebraik të Australisë. E kam bërë të qartë se këto lloj incidentesh nuk kanë vend në Australi dhe se doja që ASIO dhe AFP (Policia Federale Australiane) të hetonin si përparësi. ASIO tani ka mbledhur mjaftueshëm inteligjencë të besueshme për të arritur në një përfundim thellësisht shqetësues se qeveria iraniane drejtoi të paktën dy nga këto sulme. Irani është përpjekur të fshehë përfshirjen e tij”, tha Albanese në një video mesazh.

“Qeveria Australiane po ndërmerr veprime të forta dhe vendimtare në përgjigje. Pak kohë më parë, ne e informuam Ambasadorin iranian në Australi se ai do të dëbohet. Ne kemi pezulluar operacionet në ambasadën tonë në Teheran dhe të gjithë diplomatët tanë tani janë të sigurt në një vend të tretë”, tha Albanese.

Albanese gjithashtu tha se Australia do ta shpallë Trupën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si një organizatë terroriste.

“Veprimet e qeverisë sime dërgojnë një mesazh të qartë, një mesazh për të gjithë australianët se ne qëndrojmë kundër antisemitizmit dhe ne qëndrojmë kundër dhunës dhe një mesazh për kombe si Irani që kërkojnë të ndërhyjnë në vendin tonë se agresioni juaj nuk do të tolerohet”, tha ai.

Lëvizja e fundit erdhi pasi Australia njoftoi së fundmi se do të njohë shtet të pavarur Palestinën muajin e ardhshëm në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

Vendi ka qenë gjithashtu dëshmitar i tubimeve masive kundër Izraelit, me mijëra australianë që u mblodhën të dielën në më shumë se 40 qytete dhe qyteza kundër luftës së vazhdueshme gjenocidale të ushtrisë izraelite në Gaza, me pjesëmarrësit që bënë thirrje për sanksione ndaj Izraelit.

MARKETING