ASH-Sela: Qeveria t’u jep vendime të rregullta punëtorëve shëndetësorë

Jemi dëshmitarë të pakënaqësive të vazhdueshme të punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë, të cilët me të drejtë reagojnë ndaj zvarritjes disavjeçare të procesit të angazhimit të tyre me vendime të rregullta pune. Kjo situatë jo vetëm që ndikon negativisht në moralin dhe motivimin e tyre, por e dëmton seriozisht edhe funksionimin e sistemit shëndetësor publik, thuhet në ragimin e ASH-së krahu i Selës.
MARKETING
“Loja e pakuptimtë dhe denigruese mes qeverisë, ish-ministrit të Shëndetësisë dhe drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë ka çuar në degradimin e mëtejshëm të figurës së mantelbardhëve. Kjo papërgjegjësi institucionale po i demoralizon të rinjtë profesionistë të shëndetësisë, të cilët tashmë mezi presin të largohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë vendin pa resurse humane thelbësore.
Sjellja e papërgjegjshme e ish-ministrit Arben Taravari, i cili për të realizuar politikat e tij personale dhe grupore la në mëshirë të fatit punëtorët shëndetësorë, ka arritur kulmin. Ai do të përballet me verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e dyfishta të tetorit, ku llogaridhënia nuk do të mungojë.
Ndërkohë, ‘ndryshimi’ i premtuar nga VLEN, i çakorduar dhe i paaftë, e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen e këtyre profesionistëve, të cilët sot i gjejmë në çdo institucion shëndetësor duke punuar pa status të rregullt dhe në pasiguri të plotë”, thonë nga ASH.
ASH bën thirrje për takim urgjent të Qeverisë, me pikë të vetme në rend dite: punësimi emergjent me vendime të rregullta i të gjithë personelit të mesëm shëndetësor.
“Nisni nga Tetova, aty ku padrejtësia ka marrë formën më të dhimbshme. Veproni tani, sa nuk është bërë vonë. Sepse nëse sot i neglizhojmë mantelbardhët, nesër do të na mungojë vetë shpresa për një sistem shëndetësor funksional”, thuhet në kumtesën e ASH-së.