Arrestohet edhe një person për sulmin ndaj gazetarëve më 16 qershor në veri
Policia e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit e ka arrestuar edhe një serb tjetër, U.V. si të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve më 16 qershor në Leposaviq.
“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Tutje, theksohet se angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.
Ky është i arrestuari i tretë për sulmet ndaj gazetarëve që janë bërë në veri të vendit.