Arabia Saudite riafirmon zgjidhjen me dy shtete si çelës për stabilitetin rajonal

Arabia Saudite riafirmoi angazhimin e saj për një zgjidhje me dy shtete si gurthemelin e paqes në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për veprime urgjente ndërkombëtare për t’i dhënë fund pushtimit izraelit prej dekadash dhe për të ndaluar katastrofën humanitare që po përkeqësohet në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Duke folur në hapjen e një konference të nivelit të lartë mbi zgjidhjen me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit në selinë e OKB-së në New York, ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, tha se mbretëria mirëpriti premtimin e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron për të njohur zyrtarisht një shtet palestinez.
“Ky hap pasqyron një lëvizje serioze ndërkombëtare drejt realizimit të të drejtave legjitime të popullit palestinez”, tha ai.
Konferenca dyditore, e bashkëorganizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, u mblodh në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe përqendrohet në ringjalljen e bisedimeve të paqes dhe avancimin e zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete.
“Dhënia e të drejtave të tyre legjitime palestinezëve është porta e vërtetë për arritjen e paqes në rajon”, tha princi Faisal, duke bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të “katastrofës humanitare që rezulton nga shkeljet e vazhdueshme izraelite”.
Ai e përshkroi mbledhjen e OKB-së si “moment vendimtar” për të ringjallur vrullin për paqen dhe përsëriti se Iniciativa Arabe për Paqen e vitit 2002 – e propozuar për herë të parë nga Arabia Saudite në samitin arab në Bejrut – mbetet një kornizë gjithëpërfshirëse për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Iniciativa arabe i ofron Izraelit njohje diplomatike në këmbim të tërheqjes nga tokat arabe të pushtuara.