Arabia Saudite planifikon të shpenzojë 600 miliardë dollarë në investime dhe tregti me SHBA-në

Arabia Saudite planifikon të shpenzojë 600 miliardë dollarë në investime dhe tregti me SHBA-në

Arabia Saudite tha se po planifikon të zgjerojë investimet dhe tregtinë e saj me Shtetet e Bashkuara me një shumë prej 600 miliardë dollarësh dhe ndoshta edhe më tej gjatë katër viteve të ardhshme, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare saudite të lajmeve SPA, ky zhvillim ka ndodhur gjatë bisedës së parë telefonike midis Princit të Kurorës së Mbretërisë Mohammed bin Salman dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili mori detyrën të hënën.

Agjencia tha se princi i kurorës e ka uruar Trumpin për inaugurimin e tij si president i SHBA-së dhe se janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.

Dy liderët kanë diskutuar gjithashtu mënyrat për bashkëpunimin midis dy vendeve “për të promovuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme, krahas rritjes së bashkëpunimit dypalësh për të luftuar terrorizmin”.

Bin Salman ka pohuar gjithashtu “qëllimin e mbretërisë për të zgjeruar investimet dhe tregtinë me Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme, në shumën prej 600 miliardë dollarësh dhe potencialisht përtej kësaj”, shtoi SPA.

Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e investimeve me SHBA-në.

Gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021), Trump bëri udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në Arabinë Saudite, duke reflektuar lidhjet e ngrohta dypalëshe. Ai më herët u tha gazetarëve se do të përsëriste vizitën e tij në mbretëri nëse kjo e fundit pranon të blejë produkte amerikane me vlerë deri në 500 miliardë dollarë.

MARKETING