Arabia Saudite dhe Rusia akord për rritjen e çmimit të naftës, vendosin kufizimin e nxjerrjes së naftës
Arabia Saudite dhe Rusia janë duke kufizuar sasinë e naftës me të cilat furnizojnë vendet e tjera, në një përpjekje për t’i rritur çmimet, edhe pse edhe kërkesat janë zvogëluar.
Ky vendim bëri që çmimet e naftës të rriteshin lehtazi më 3 korrik dhe vjen pasi sauditët njoftuan se do të ulnin dukshëm prodhimin gjatë muajit korrik, duke ngritur shqetësimet se çmimet për shoferët mund të fillojnë të rriten.
Ministria e Energjisë saudite tha se do ta zgjasë këtë kufizim deri në gusht për të mbështetur “stabilitetin dhe ekuilibrin e tregjeve të naftës”.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, tha se vendi i tij do ta ulë prodhimin ditor për 500.000 fuçi shtesë gjatë muajit gusht, sipas raporteve të mediave ruse.
Çmimi mesatar për 3.8 litra benzinë në SHBA është më pak se 3.50 dollarë këtë vit, 1.30 dollarë më pak se vitin e kaluar.
Fakti që sauditët mendonin se një tjetër kufizim ishte i nevojshëm simbolizon perspektivën e pasigurt për kërkesën për karburant në muajt në vijim, raporton agjencia e lajmeve AP.
Sauditët kanë nevojë për të ardhura të larta stabile nga nafta për të financuar projekte ambicioze zhvillimi që synojnë diversifikimin e ekonomisë së vendit, ndërsa Rusia po kërkon të rrisë fitimet për ta financuar luftën kundër Ukrainës.
Sanksionet perëndimore bëjnë që Moska të detyrohet ta shesë naftën e saj me çmim më të ulët në vende si Kina dhe India. Të ardhurat e saj nga eksporti vlerësohet se ranë për 1.4 miliardë në maj, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një raport të muajin të kaluar.