Apple po përgatit një sërë produktesh të reja

Apple do të prezantojë një sërë produktesh të reja në gjysmën e parë të vitit 2026, si iPhone 17e, iPad Air dhe iPad bazë të përditësuar, si dhe kompjuterët MacBook Pro dhe MacBook Air.
Kjo strategji, sipas një raporti që transmeton Bloomberg, është pjesë e një plani më të gjerë për të stabilizuar të ardhurat pas dy vitesh të paqëndrueshme, kur ciklet më të dobëta të prezantimit të iPad dhe ritmi i ngadalësuar i inovacionit ndikuan negativisht në shitje.
Sipas raportit, iPhone 17e i ri do të ruajë të njëjtin dizajn si gjenerata e mëparshme, por do të ketë çipin më të fuqishëm A19.
Kompjuterët MacBook Pro (14 dhe 16 inç) me çipin M5 pritet të dalin në fillim të 2026-ës dhe do të jenë të fundit me dizajnin aktual industrial. Gjenerata e ardhshme do të kalojë në ekrane OLED. Kompania gjithashtu planifikon MacBook Air me çipin M5 për gjysmën e parë të vitit 2026.
Apple, që më parë përditësonte modelet më të lira të iPhone me intervale më të gjata, tani po kalon në një ritëm vjetor përditësimi – gjë që tregon një strategji të re: më shumë frekuencë dhe një gamë më të gjerë produktesh në të gjitha segmentet.