Apple ka shitur mbi tre miliardë iPhone

Apple ka shitur mbi tre miliardë iPhone

Apple është përballur me kritika vitet e fundit për arsye të ndryshme, që nga gabimet lidhur me inteligjencën artificiale deri te politikat për dizajnin e ri, por shifrat nuk gënjejnë.

Nëse ka diçka që kompania nga Cupertino di ta bëjë mirë, ajo është shitja e iPhone – dhe sapo ka kaluar kufirin prej tre miliardë pajisjesh të shitura. Këtë informacion e ka konfirmuar drejtori i Applet, Tim Cook.

Kjo është një shifër me të vërtetë mbresëlënëse, që bëhet edhe më e pabesueshme po të kihet parasysh se Apple po përshpejton ritmin. iPhone i parë u prezantua në vitin 2007 dhe kompania arriti një miliard pajisje të shitura nëntë vjet më vonë, në vitin 2016.
Kufiri prej 2 miliardë iPhone-sh të shitur u arrit në vetëm pesë vitet pasuese, dhe më pas u deshën vetëm katër të tjera që të kalonte shifrën prej 3 miliardë telefonash të shitur. Duket se ky është një trend që do të vazhdojë.

Megjithatë, ekziston edhe një anë tjetër e medaljes. Zyrtari i Apple, Eddie Cue, së fundmi ka deklaruar se njerëzit ndoshta nuk do të kenë më nevojë për një iPhone pas dhjetë vitesh – një paralajmërim shqetësues për një kompani që bazon pjesën më të madhe të biznesit në shitjen e telefonave.

Edhe përpjekjet e Applet për të kaluar drejt një forme më të avancuar të pajisjeve nuk kanë “pushtuar botën”. Dihet se përpjekjet e para për të shtuar funksione të fuqishme të inteligjencës artificiale në iPhone, për të thënë butë, nuk kanë qenë shumë të suksesshme. Duket se Apple nuk është plotësisht i përgatitur për botën ku mund të jetojmë pas dhjetë vitesh.

Ky problem duket se e shqetëson edhe Tim Cookun. Gjatë një konference mbi rezultatet tremujore, ai u pyet për të ardhmen e telefonit si platformë dominuese, dhe në përgjigje tha se kompania “po mendon edhe për gjëra të tjera”, por se beson që teknologjitë e reja “nuk do t’i zëvendësojnë telefonat, por do t’i plotësojnë ato”.

Telefonat duken të sigurt në planin afatshkurtër, por ndoshta diçka që po përgatisin Sam Altman dhe Jony Ive mund të ngadalësojë arritjen e Apple-it te shifra prej katër miliardë iPhone-sh të shitur.

MARKETING