“Amnesty” thirrje policisë britanike të mos arrestojë protestuesit paqësore që mbështesin “Palestine Action”

“Amnesty” thirrje policisë britanike të mos arrestojë protestuesit paqësore që mbështesin “Palestine Action”

“Amnesty International” i ka bërë thirrje Policisë Metropolitane të Londrës të mos arrestojë në masë protestuesit paqësorë që shprehin mbështetje për grupin së fundmi të ndaluar, “Palestine Action”, përpara një proteste të madhe të planifikuar për të shtunën në kryeqytetin britanik, transmeton Anadolu.

Protesta organizohet nga grupi aktivist “Defend Our Juries” dhe pritet të mbledhë qindra pjesëmarrës.

Që nga ndalimi i grupit më 5 korrik sipas “Ligjit për Terrorizmin”, mbi 200 persona në gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë arrestuar për mbajtje parullash si: “Jam kundër gjenocidit. Mbështes Palestine Action”.

Policia ka sinjalizuar se mund të arrestojë edhe qindra të tjerë këtë fundjavë, ndërkohë që autoritetet e burgjeve janë vënë në gatishmëri pas një kërkese të veçantë nga Ministria e Drejtësisë për të përballuar një numër të mundshëm të rritur të të ndaluarve.

Drejtori Ekzekutiv i “Amnesty UK”, Sacha Deshmukh, në një letër drejtuar Komisarit të Policisë Metropolitane, Mark Rowley, u bëri thirrje oficerëve që të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

“Protestuesit paqësorë duhet të kenë lirinë të shprehen këtë fundjavë pa frikën e ndëshkimit. Arrestimi i tyre për shkak të mbajtjes së një pankarte bie ndesh me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, ka thënë Deshmukh.

“Në një kohë kur njerëzit me të drejtë ndihen të tërbuar nga gjenocidi që po ndodh në Gaza, është më e rëndësishme se kurrë të lejohet hapësira për të shprehur këtë zemërim në mënyrë paqësore”, ka shtuar ai.

Në letër argumentohet se kriminalizimi i sloganeve protestuese që mbështesin organizatën “Palestine Action” bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të tubimit.

Gjithashtu, në letër thuhet se sipas ligjit ndërkombëtar, fjala protestuese mund të kriminalizohet vetëm nëse nxit dhunë, dëmtime serioze ndaj pronës, urrejtje ose diskriminim – kushte që, sipas Amnesty, nuk përmbushen vetëm duke mbajtur një pankartë.

Letra përmend edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për të pranuar një rishikim gjyqësor të ndalimit, duke theksuar se rasti përbën “çështje serioze për t’u gjykuar”, gjë që vë në dyshim bazën ligjore për arrestimet sipas neneve 12 dhe 13 të “Ligjit për Terrorizmin”.

Komisari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjithashtu ka kritikuar publikisht vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ndaluar “Palestine Action”.

Ndërkohë, Raportuesi i Posaçëm i OKB-së për Luftën kundër Terrorizmit dhe të Drejtat e Njeriut është lejuar të ndërhyjë në rishikimin gjyqësor.

“Defend Our Juries”, një grup që fokusohet te proceset gjyqësore të lidhura me mosbindjen civile dhe protestat, ka organizuar demonstrata paqësore në Westminster që nga hyrja në fuqi e ndalimit. Protesta e së shtunës pritet të përfshijë deri në 500 demonstrues, të cilët do të mbajnë pankarta në kundërshtim të hapur me ndalimin.

“Amnesty International” u ka bërë thirrje forcave të rendit të fokusohen te lehtësimi i protestave paqësore, jo shtypja e tyre.

“I bëj sërish thirrje Policisë Metropolitane të mendojë me kujdes përpara se të marrë vendime të nxituara këtë fundjavë – detyra e tyre është të lehtësojnë protestën paqësore, jo ta ndalojnë atë”, përfundoi Deshmukh.

Në qershor, qeveria shpalli ndalimin e “Palestine Action” sipas “Ligjit për Terrorizmin” të vitit 2000, pasi aktivistët e këtij grupi spërkatën me bojë avionë në një bazë ajrore të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), akt që po hetohet nën ligjet kundër terrorizmit.

Ky ndalim u miratua më pas në Dhomën e Ulët dhe Dhomën e Lordëve në muajin korrik.

MARKETING