Ambasada ruse në Beograd: Për situatën në Serbi, zgjidhja vetëm sipas rregullave të shtetit

Ambasada ruse në Beograd: Për situatën në Serbi, zgjidhja vetëm sipas rregullave të shtetit

Ambasada ruse në Beograd deklaroi se për situatën në Serbi zgjidhja e vetme është “dialogu në fushën e së drejtës”, siç theksoi, “sipas rregullave serbe”.

Në një postim në Telegram, Ambasada ruse theksoi se “vëren” se vëmendja e saj e kushtuar situatës në Serbi “kohët e fundit nuk ka kaluar pa u vënë re”, pa sqaruar për çfarë bëhet fjalë.

“Sipas mendimit tonë, kjo do të thotë vetëm një gjë: vlerësimet tona pasqyrojnë me saktësi, korrektësi, përgjegjësi dhe me qëllime të mira realitetin”, njoftoi Ambasada ruse, por po ashtu nuk sqaroi se për cilat vlerësime bëhet fjalë.

Kremlini veçse i ka dhënë mbështetje autoriteteve në Beograd, të cilat përballen me protesta antiqeveritare që po zgjasin që disa muaj, teksa demonstruesit po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Zyrtarët rusë përsërisin pohimet e autoriteteve serbe se protestat përbëjnë të ashtuquajturën “revolucion me ngjyra”, një term që i referohet kryengritjeve në ish-republikat sovjetike kundër regjimeve autoritare.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët gjatë gushtit se “disa forca në Serbi, nën mbulesën e sloganeve për ‘kërkimin e drejtësisë dhe demokracisë’, nuk hezitojnë të përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë”, ndërsa ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harcenko, javën e kaluar deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçqç, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian.

Kjo deklaratë e ambasadorit rus ka nxitur kritika nga opozita në Serbi, e cila e ka vlerësuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit.

Ambasada ruse në Beograd në njoftimin e fundit theksoi se “as nuk mund të flitet për ndonjë ‘ndërhyrje’ nga ana jonë në çështjet e brendshme të Serbisë” dhe se “Rusia, përgjatë historisë, ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe të palëkundur sovranitetin, pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të Serbisë, si dhe lirinë e popullit serb”.

“Ne nuk dyshojmë se ekziston vetëm një rrugë, dhe ajo është dialogu në fushën e së drejtës. Sipas rregullave serbe. Për Serbinë. Për popullin e saj”, tha Ambasada ruse në Beograd.

MARKETING