Ambasada e SHBA-së: Nuk do të qëndrojmë duarkryq nëse Dodik punon për të nxitur një konflikt të ri në BeH
Retorika separatiste e Milorad Dodikut dhe kërcënimet për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina përfaqësojnë një veprim “anti-Dejton” që është i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe i dëmshëm për integrimin e BeH në institucionet euroatlantike.
Kështu, siç raportojnë mediat në BeH, përcjell Telegrafi, është thënë në një mesazh të Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës, as entiteti dhe asnjë njësi tjetër administrative më e ulët nuk ka të drejtë të shkëputet dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq nëse Milorad Dodik punon për të nxitur një konflikt të ri në Bosnje dhe Hercegovinë. Siç kanë bërë për tridhjetë vjet, Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, citohet të jetë thënë në deklaratë.
Ndryshe, Milorad Dodik njoftoi të martën se do të ndalojë të gjithë zyrtarët serbë të Bosnjës nga çdo kontakt me përfaqësuesit e NATO-s, me të cilët ai nuk dëshiron asnjë bashkëpunim.