Aliu: Me sinkronizimin e 12 ligjeve deri në avancimin e sistemit shëndetësor

Me sinkronizimin e 12 ligjeve në sistemin shëndetësor, duke filluar nga të dhënat, përmes sigurimeve dhe ilaçeve, deri te biomjekësia dhe shëndeti publik, me qëllim që t’i lidhim ato dhe të funksionojnë si një tërësi, do të mundësohet avancim në proceset e sistemit shëndetësor. Me këtë rast sot u mbajt prezantim publik i këtyre 12 ligjeve organizuar nga Ministria e Shëndetësisë ku u shqyrtuan propozime, mendime dhe rekomandime me panelin e ekspertëve me qëllim që të arrihen zgjidhjet më të mira.
Ministri Azir Aliu tha se kjo është reforma më e gjerë e rregulloreve ligjore në shëndetësi deri më tani.
“Këtë proces e kemi filluar në kuadër të ministrisë me grupe pune për ndryshime dhe plotësime të 12 zgjidhjeve ligjore të cilat lidhen drejtpërdrejt me sistemin shëndetësor. Vetëm përmes transparencës dhe diskutimit të hapur mund të arrijmë zgjidhjet më të mira. Qëllimi është kornizë ligjore e avancuar që do të jetë garanci për shërbime më cilësore, qasje të drejtë dhe siguri më të madhe për pacientët. Ideja është të sinkronizohen të gjitha 12 ligjet në mënyrë që proceset në sistemin shëndetësor të mos pengohen”, theksoi Aliu.
Bëhet fjalë për një rishqyrtim sistematik të 12 ligjeve në fusha të ndryshme – nga të dhënat, përmes sigurimeve dhe ilaçeve, te biomjekësia dhe shëndeti publik me qëllim të funksionojnë si një tërësi e vetme.
“Me këto ligje kemi për qëllim një sistem shëndetësor të qëndrueshëm, të lidhur dhe të parashikueshëm. Një sistem në të cilin çdo e dhënë, çdo procedurë dhe çdo vendim do të ketë vendin, logjikën dhe përgjegjësinë e vet”, tha Aliu dhe u bëri thirrje të gjithë palëve të interesuara që të përfshihen aktivisht në këto procese me qëllim përmirësimin e përbashkët të legjislacionit dhe të situatës në sistemin shëndetësor.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Aliu tha se nuk është rastësi që janë hapur këto 12 ligje.
“Së pari, kemi momente që nuk janë të parashikuara në kornizën ligjore dhe së dyti, kemi momente kur një ligj parashikon diçka, dhe i dyti parashikon një lloj tjetër ose rrjedhë procesesh. Ideja është që të sinkronizohen të 12 ligjet në mënyrë që proceset në sistemin shëndetësor të mos bllokohen. Ndonjëherë ato pengohen nga ligji. Këto 12 ligje nuk janë të reja, por do të përpunohen dhe përshtaten për t’u sinkronizuar me njëri tjetrin. Procesi është ende i hapur dhe kur të përfundoj do të kemi një debat tjetër publik ku do të prezantojmë ndryshimet ligjore”, shtoi Aliu.