Aliu: Kemi përgatitur ndryshime të rëndësishme në Ligjin për mbrojtje shëndetësore, propozime mund të jepen në ENER
Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur disa ndryshime dhe plotësime të rëndësishme në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, të cilat këtë javë janë publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER). Të gjitha palët e interesuara kanë mundësi të dorëzojnë sugjerimet dhe propozimet e tyre, të cilat do të shqyrtohen sipas procedurës së përcaktuar.
“Udhëhiqemi nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies, dhe të gjitha vërejtjet, mendimet dhe sugjerimet konstruktive do të merren parasysh në versionin përfundimtar të propozim-ligjit të ri për mbrojtje shëndetësore. Nga zbatimi i deritanishëm i ligjit ka dalë nevoja për ndryshime dhe plotësime në pjesën e procedurës për punësimin e punonjësve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë në institucionet publike shëndetësore, statusin e drejtorëve të institucioneve publike shëndetësore, specializimet dhe subspecializimet, si dhe kushtet për pensionimin e punonjësve shëndetësorë dhe angazhimin e tyre pas pensionimit, si edhe harmonizimin me rregullore të tjera”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme të propozuara është punësimi me prioritet i mjekëve më të suksesshëm të diplomuar në fakultetet e mjekësisë në vend. Për ta, nëse aplikojnë në një shpallje për punësim, nuk do të zhvillohet procedurë përzgjedhjeje e kandidatëve, por do të punësohen me prioritet në institucionet publike shëndetësore. Në procedurën e punësimit parashihet që përbërjen e komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve ta propozojë kolegjiumi profesional i institucionit, veçmas për çdo vend pune të shpallur. Sipas rezultateve të procedurës së punësimit, drejtori është i obliguar të punësojë kandidatin e renditur më lart.
“Me qëllim të planifikimit të duhur të nevojave për kuadro specialistike dhe subspecialistike në shtet, si dhe mundësive për realizimin e specializimeve dhe subspecializimeve, në të ardhmen Qeveria, përveç programeve për specializime shtetërore dhe specializime të bashkëfinancuara, do të miratojë edhe një program me të cilin do të përcaktohet numri i specializimeve private, përkatësisht subspecializimeve, në përputhje me nevojat për kuadro mjekësore. Gjithashtu, rritet mosha për angazhimin e mjekëve me përvojë nga specialitetet/subspecialitetet deficitare, me qëllim shfrytëzimin e ekspertizës së tyre. Për këta persona do të mundësohet që nga mosha 67 deri në 70 vjeç të angazhohen me kontratë në institucionet shëndetësore brenda rrjetit dhe të vazhdojnë ta marrin pensionin. Angazhimi do të bëhet me pëlqim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor, në rastet kur nuk ka kushte të mjaftueshme për kryerjen e një veprimtarie të caktuar shëndetësore ose për sigurimin e shërbimit të pandërprerë”, shtoi ministri Aliu.

