Aleatët e NATO-s informohen për incidentin mes dronit amerikan dhe aeroplanit rus
Një aeroplan luftarak rus është përplasur me një dron amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi.
Një komandant i lartë ushtarak nga Aleanca e Atlantikut të Veriut ka informuar aleatët perëndimorë për incidentin e raportuar mbi Detin e Zi.
Gjenerali Christopher Cavoli thuhet se ka informuar të 30 vendet anëtare për situatën, në të cilën një dron MQ-9 Reaper u rrëzua në ujërat ndërkombëtare.
“Gjenerali (Christopher) Cavoli ka informuar aleatët e NATO-s për incidentin sot”, ka thënë një zyrtar, raporton skynews.
Forcat ajrore amerikane thanë se një aeroplan luftarak rus Su-27 kishte goditur helikën e dronit të vëzhgimit, duke shkaktuar rrëzimin e tij.
Ndërkohë, incidenti u dënua si “i pamatur” nga ushtria amerikane.
Shtetet e Bashkuara kanë operuar me dron mbi Detin e Zi që para fillimit të luftës në Ukrainë, duke përdorur dronin spiun për të monitoruar zonën.