Al Jazeera: Nevojitet presion ndërkombëtar dhe veprim urgjent për të parandaluar heshtjen e Gazës

Televizioni Al Jazeera me seli në Katar bëri thirrje për ndërhyrje urgjente dhe presion nga komuniteti ndërkombëtar pas vrasjes së 5 gazetarëve nga Izraeli në Gaza, përfshirë një kameraman të Al Jazeera-s, transmeton Anadolu.
Televizioni Al Jazeera bëri një deklaratë në lidhje me sulmin e ushtrisë izraelite në spitalin “Nasser” në Khan Younis, në jug të Gazës, i cili vrau 20 persona, përfshirë 5 gazetarë.
“Presioni ndërkombëtar dhe veprimet urgjente janë të nevojshme për të parandaluar heshtjen e zërit të Gazës përmes shënjestrimit sistematik dhe vrasjes së gazetarëve para syve të botës”, thuhet në deklaratë.
Sulmet izraelite në Gaza janë bërë forma e luftës më vdekjeprurëse për anëtarët e medias dhe një numër i paprecedentë gazetarësh janë shënjestruar, thuhet më tej.
“Para se gjaku i gazetarëve tanë dëshmorë në Gaza të thahet, forcat pushtuese izraelite kryen një krim të ri duke vrarë kameramanin e Al Jazeera-s, Mohammed Salameh dhe gazetarët që e shoqëronin. Këmbëngulja e Izraelit për të heshtur gazetarët dhe përpjekjet e tij për të fshehur krimet që kryen në Gaza tregojnë qartë qëllimin e tij për të fshehur të vërtetën”, theksohet në deklaratë.
Al Jazeera vuri në dukje se sulmet e Izraelit ndaj gazetarëve janë “pjesë e një fushate sistematike për të heshtur të vërtetën”, duke i përshkruar këto veprime si “krime lufte sipas Statutit të Romës, bazës themelore ligjore të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Konventave të Gjenevës, të cilat mbrojnë civilët në kohë lufte”.
Mëngjesin e sotëm, ushtria izraelite nisi dy sulme të ndara ndaj spitalit “Nasser” në Khan Younis, në jug të Gazës.
Sulmi vrau fotoreporterin e Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri, kameramanin e televizionit Al Jazeera me bazë në Katar Mohammed Salameh, gazetaren për media të ndryshme, përfshirë “Independent Arabia” dhe “The Associated Press” (AP) Maryam Abu Deqqa, gazetarin e NBC News me bazë në SHBA Moaz Abu Taha dhe gazetarin Ahmed Abu Aziz.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës në një deklaratë me shkrim tha se 20 palestinezë, përfshirë 5 gazetarë u vranë në sulmet ndaj spitalit “Nasser”.