Akuzat për korrupsion/ Jep dorëheqjen Federica Mogherini nga posti i rektorës së Kolegjit të Europës
Ish-shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini ka dhënë dorëheqjen nga posti i rektorës së Kolegjit të Europës. Këtë e ka komunikuar vetë Mogherini në një e-mail të dërguar stafit dhe studentëve të shkollës prestigjioze të Bryzhit.
“Në përputhje me rregullin dhe korrektësinë maksimale me të cilat kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të Europës dhe Drejtoreshës së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Europian”, ka shkruar Mogherini.
Mogherini, e cila u ndalua të martën së bashku më dy të tjerë si pjesë e një hetimi për mashtrim që përfshinte Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Evropës, u lirua në orët e para të së mërkurës.
Ata u morën në pyetje dhe informuan zyrtarisht me akuzat e mashtrimit dhe korrupsionit në prokurim, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të pandershme. Gjykatësit vendosën nxjerrjen e tyre nga qelia dhe hetimin e tyre në gjendje të lirë.
“Pasi u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge, të tre individët u informuan zyrtarisht për akuzat kundër tyre. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata janë liruar pasi nuk konsiderohen rrezik për arratisje”, informuan gjyqtarët.

