Ai që ishte mëshirë për botët: Një bisedë me Muhamedin a.s.
MARKETING
Shkruan: Prof.Dr. Metin Izeti
MARKETING
Thonë se ai ende ecën nëpër ato rrugët e Mekës ku era mban erën e Haxherit dhe kujtimin e këmbëve të zbathura që ngjiteshin në kodrat e Safa e Merve. Jo si hije e një njeriu që iku, por si dritë e gjallë se çfarë do të thotë të jesh jetim që u bë baba i një umeti, të jesh bari që u bë udhërrëfyes i njerëzimit. E megjithatë, kur takohesh me të, sytë e tij nuk janë sytë e dikujt që pushtoi qytete dhe mbretëri. Janë si dy burime që pasqyrojnë thellësinë e një përulësie që nuk njeh kufi, që shikon njëkohësisht lartësinë e qiellit ku u ngjit dhe varfërinë e dhomës ku flinte në hasër. Rreth nesh, era e shkretëtirës sjell erën e shpellës Hira dhe kujtimin e natës së parë kur fjala “Ikra” zbriti si rrufe mbi një zemër që priste. Ulem pranë tij nën hijen e një peme që dikur ishte dëshmitare e betimit të tij për të thënë të vërtetën edhe nëse ajo i kushtonte gjithçka.
Unë: O Muhamed, o bir i Abdullahut, o vula e pejgamberëve, o mëshirë për botët, ty të thërrasin. Thuhet se ti linde jetim, pa baba, dhe në moshën gjashtë vjeçare humbe edhe nënën. Si është të rritesh pa atë dorë që të mban, pa atë prehër ku mbështetesh, dhe të bëhesh streha e miliona jetimëve pas teje?
Muhamedi a.s.: (Fytyra e tij rrezaton një dritë të butë si agimi që sapo ka lindur mbi shkretëtirë. Sytë i ka të thellë si pusi i Zemzemit dhe mjekrën e zezë e ledhaton me atë qetësinë e atij që e di se çdo lot i tij ishte farë për një pemë që do të rritej. Rrobat e thjeshta i mbështjellin trupin e tij të brishtë, por prania e tij mbush gjithë hapësirën) Jetimi, o bir, nuk është ai që humbi prindërit. Jetimi është ai që humbi rrugën. Unë humba babain para se të lindja dhe nënën në moshën gjashtë vjeçare . Por Zoti im, i Mëshirshmi, më mori në mbrojtjen e Tij. Gjyshi im Abdulmutalibi më donte si bebën e syrit, dhe pas tij xhaxhai im Ebu Talibi më mbrojti si bir. Por mbi të gjitha, unë ndieja një dorë tjetër që më mbante, një dritë që më udhëzonte. Kur u rrita dhe pashë jetimët rreth meje, nuk pashë vetëm fëmijë pa prindër. Pashë veten time. Dhe Zoti im më tha në Kuran: “A nuk të gjeti ty jetim dhe të bëri strehim?!” . Kjo ishte mësimi im i parë: të bëhesh strehë për ata që kanë humbur strehën.
Unë: Para se të bëheshe pejgamber, ti njiheshe si “El-Emin”, i besueshmi. Banorët e Mekës të linin gjërat e tyre më të çmuara në dorën tënde, edhe ata që nuk besonin tek Zoti yt. Si është të mbash mbi supe besimin e njerëzve, edhe të atyre që të kundërshtojnë?
Muhamedi a.s.: (Buzëqesh butë, me atë buzëqeshjen që thonë se ishte më shumë se një dritë në fytyrë) Besimi, o bir, nuk kërkohet. Ai jepet. Unë nuk kërkova që njerëzit të më besonin. Unë thjesht isha ai që isha. Kur punoja për Hatixhen, ajo më dërgoi me karavanin e saj në Sham. Kur u ktheva, ajo pa në sytë e mi atë që nuk kishte parë tek askush tjetër: ndershmërinë e pastër, fjalën që nuk thyhet, premtimin që mbahet. Dhe ajo më propozoi martesën . Unë isha njëzet e pesë vjeç, ajo dyzet. Por mosha nuk ishte pengesë, sepse ajo pa tek unë atë që Zoti kishte mbjellë: farën e besueshmërisë. Dhe kur erdhi shpallja, ajo ishte e para që besoi, jo sepse unë i thashë, por sepse ajo më njihte prej vitesh . Ajo e dinte se unë nuk gënjeja njerëzit, si të gënjeja Zotin?!
Unë: Dhe erdhi ajo natë në shpellën Hira. Ti ishe dyzet vjeç, në kulmin e pjekurisë njerëzore . Çfarë ndodhi atje, o Muhamed, kur engjëlli Xhibril të tha “Ikra!” dhe ti u përgjigje “Nuk di të lexoj”?
Muhamedi a.s.: (Sytë i ndriçojnë me një dritë të veçantë, sikur sheh ende atë engjëll përpara) Unë isha atje, në atë shpellë, larg zhurmës së njerëzve. Kërkoja vetminë për të menduar për Krijuesin, për të kuptuar se pse bota ishte zhytur në errësirën e idhujve. Dhe papritur, një prani mbushi gjithë hapësirën. Një zë më tha: “Ikra!” – “Lexo!” Unë u drodha dhe thashë: “Unë nuk di të lexoj” . Ai më shtrëngoi fort, pastaj më lëshoi dhe përsëri tha: “Ikra!” Unë përsëri thashë: “Nuk di të lexoj” . Herën e tretë, ai tha: “Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi, krijoi njeriun nga një gjak i ngjizur! Lexo, se Zoti yt është bujar!” . Dhe fjalët më hyjnë në zemër si shi në tokë të etur. Unë dola nga ajo shpellë duke u dridhur, me fjalët që më digjnin gjoksin. Vrapova te Hatixhja dhe i thashë: “Më mbështillni, më mbështillni!” . Ajo më mbështolli dhe unë i tregova. Ajo tha: “Për Zotin, Zoti nuk do të të turpërojë kurrë. Ti mbash lidhjet e farefisnisë, flet të vërtetën, mbart barrën e të tjerëve, ndihmon të varfrit dhe qëndron me të drejtën” . Dhe ajo më çoi te Varaka ibn Nevfeli, i cili njihte shkrimet e lashta. Kur dëgjoi, ai tha: “Ky është Xhibrili që zbriti te Musai. Ah, sikur të isha i ri për të të ndihmuar kur populli yt të dëbojë!” . Unë u çudita: “A do të më dëbojnë mua?” Ai tha: “Askush nuk ka sjellë atë që sjell ti pa u armiqësuar me njerëzit” .
Unë: Dhe filloi ajo rrugë e gjatë e thirrjes, talljeve, përndjekjeve. Ti i ftoje njerëzit drejt një Zoti të vetëm, dhe ata të quanin magjistar, të çmendur, gënjeshtar .
Muhamedi a.s.: (Psherëtimë e lehtë, por pa hidhërim) Ata thoshin: “Çfarë është ky pejgamber që ha ushqim dhe ecën nëpër tregje?!” . Nuk mund ta kuptonin se pejgamberi nuk është engjëll, është njeri si ata, që të mund ta ndjekin. Unë isha njeri, o bir. Ndihesha i uritur, etja më mundonte, dhimbja më prekte. Kur më goditnin me gurë në Taif, gjaku më rridhte nga këmbët dhe engjëlli i maleve erdhi dhe më tha: “Nëse do, do të bashkoj dy malet mbi ta”. Unë thashë: “Jo, shpresoj që Zoti të nxjerrë nga kurrizi i tyre ata që do të adhurojnë vetëm Atë” . Sepse unë nuk u dërgova për të shkatërruar, por për të mëshiruar. Zoti im thotë: “Ne nuk të dërguam ty tjetër, veçse mëshirë për botët” .
Unë: Dhe Hatixhja, ajo gruaja e parë, ajo që të mbështeti kur gjithë bota të kundërshtonte. Si ishte humbja e saj?
Muhamedi a.s.: (Një hije e lehtë kalon mbi fytyrën e tij, si re që ia mbulon diellin për një çast) Ajo ishte pranë meje për njëzet e pesë vjet. Kur njerëzit më quanin gënjeshtar, ajo më thoshte: “Unë të besoj”. Kur më rrahnin, ajo më fshinte gjakun. Kur bota ishte kundër meje, ajo ishte me mua. Ajo dha gjithë pasurinë e saj për këtë fe. Dhe kur ajo vdiq, unë humba jo vetëm gruan, por edhe mbështetjen time më të madhe. Atë vit, Zoti im më mori dy dhuratat: Hatixhen dhe xhaxhain tim Ebu Talibin, që më mbronte. Dhe unë e quajta atë vit “viti i pikëllimit”. Sepse njeriu më i dashur në jetën time dhe mbrojtësi im më i madh u larguan në të njëjtën kohë.
Unë: Dhe pastaj erdhi nata e madhe, Israja dhe Miraxhi. Ti u ngrite në qiell, takove pejgamberët, pe shenjat më të mëdha të Zotit. Si është të ngjitesh atje ku as engjëjt nuk guxojnë dhe të kthehesh përsëri në tokë?
Muhamedi a.s.: (Buzëqesh me atë dritën që nuk vjen nga kjo botë) Ajo ishte dhurata e Zotit tim pas atij viti të pikëllimit. Një natë, Xhibrili më mori dhe më çoi nga Meka në Kudus, dhe prej andej në qiejt e lartë . Takova Ademin në qiellin e parë, Jahjain dhe Isain në të dytin, Jusufin në të tretin, Idrisin në të katërtin, Harunin në të pestin, Musain në të gjashtin dhe Ibrahimin në të shtatin . Dhe pastaj u ngjita atje ku as Xhibrili nuk mund të vinte. Ai më tha: “Unë ndalem këtu, sepse po eca një fije floku më tej, do të digjem”. Dhe unë vazhdova derisa pashë atë që as syri nuk ka parë, as veshi nuk ka dëgjuar. Zoti im më dhuroi pesëdhjetë namaze në ditë, por unë kalova para Musait dhe ai më tha: “Kthehu dhe kërko më pak, se populli yt nuk do të mundet”. Dhe unë u ktheva disa herë derisa mbetën pesë, por me shpërblimin e pesëdhjetë . Dhe unë zbrita përsëri në tokë, me atë dhuratë në xhep.
Unë: Dhe pastaj erdhi hixhreti, ikja në Medinë. Ti u fshehe në atë shpellë me Ebu Bekrin, dhe armiqtë ishin para derës.
Muhamedi a.s.: Ata ishin aty, fare pranë. Ebu Bekri më shikonte i frikësuar dhe pëshpëriste: “O Pejgamber i Zotit, ata janë aty. Nëse shikojnë poshtë, na shohin”. Unë i thashë: “Mos u frikëso, se Zoti është me ne” . Dhe Zoti im urdhëroi merimangën të thurrë rrjetën e saj përpara shpellës, dhe pëllumbin të bëjë fole aty. Kur armiqtë panë rrjetën dhe folenë, thanë: “Këtu nuk ka hyrë njeri”. Dhe ne u shpëtuam . Atë ditë, unë kuptova se mbrojtja e Zotit nuk vjen me ushtri, por me krijesat më të vogla. Një merimangë dhe një pëllumb ishin ushtria ime atë natë.
Unë: Në Medinë, ti ndërtove një shtet, një shoqëri, një qytetërim. Por ti vazhdoje të jetoje në varfëri, të rrije në hasër që të linte shenja në trup.
Muhamedi a.s.: (Qetësi e thellë) Unë isha njeri, o bir, por Zoti im më dha të zgjedh: të jem mbret-pejgamber apo rob-pejgamber. Zgjodha të jem rob, sepse robëria ndaj Tij është liria e vërtetë. Në shtëpinë time nuk ndizej zjarr për ditë të tëra, dhe unë e falënderoja Zotin tim. Ushqeheshim me hurma dhe ujë, dhe unë thosha se kjo ishte begati. Kur vdisnin fëmijët e mi, unë qaja, por thosha: “Zoti ynë, Ty të përkasim dhe tek Ti kthehemi”. Kur më vunë të pështyrë brendësinë e dhenve në rrugë, unë nuk u hakmora. Kur më thirrën për namaz, unë falesha derisa këmbët më ënjeshin dhe më thoshin: “Pse e bën këtë kur Zoti ta ka falur gjithçka?” Unë thosha: “A nuk duhet të jem rob mirënjohës?” .
Unë: Dhe fitorja e madhe, çlirimi i Mekës. Ti hyre në qytetin që të kishte përndjekur, të kishte dëbuar, të kishte vrarë besimtarët. Dhe ti i fale.
Muhamedi a.s.: (Sytë i shkëlqejnë me një dritë të ngrohtë) Kur hyra në Mekë, koka ime ishte e ulur në sexhde mbi devenë time nga përulësia . Pashë njerëzit që kishin bërë gjithçka për të më shkatërruar, tani të dridhur para meje. Ebu Sufjani, ai që kishte udhëhequr ushtritë kundër meje, priste dënimin. Unë thashë: “Sot nuk ka qortim për ju. Zoti ju faltë. Ai është më i mëshirshmi i të mëshirshmëve. Shkoni, se jeni të lirë” . Ata qanin. Unë pashë idhujt rreth Qabesë, treqind e gjashtëdhjetë idhuj, dhe i thyeja një nga një duke thënë: “Erdhi e vërteta dhe u shkatërrua e pavërteta” . Në atë moment, unë nuk ndieja krenari, por përulësi. Sepse e dija se kjo nuk ishte fuqia ime, por fuqia e Tij.
Unë: Dhe në fund, fjalimi i lamtumirës, në Arafat. Ti u drejtove mijëra njerëzve dhe u the fjalët e fundit.
Muhamedi a.s.: Unë qëndrova mbi atë kodër, me njerëzit rreth meje si deti. Dhe thashë: “O njerëz, dëgjoni fjalët e mia, se unë nuk e di nëse do t’ju takoj përsëri pas këtij viti. Me të vërtetë, gjakrat tuaja dhe pasuritë tuaja janë të shenjta për njëri-tjetrin, si shenjtëria e kësaj dite, e këtij muaji dhe e këtij qyteti. Të pranishmit le t’ua tregojnë të largëtve. Ndoshta ai që i tregohet mund ta kuptojë më mirë se ai që e dëgjoi. Më dëgjoni: a e kam përcjellë porosinë?” . Dhe ata thanë: “Po, e ke përcjellë”. Dhe unë ngrita gishtin nga qielli dhe thashë: “Zoti im, dëshmo!” . Atë ditë, unë e dija se udhëtimi po mbaronte.
Unë: Dhe vdekja jote erdhi në dhomën e Ajshes, në prehrin e saj, në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare. Ti zgjodhe të vdisje si më i varfri i njerëzve, pa lënë pas as ar as argjend.
Muhamedi a.s.: (Buzëqesh i qetë, si ai që sheh atë që të tjerët nuk shohin) Kur erdhi Xhibrili për herë të fundit, më tha se Zoti im më kishte dhënë të zgjedh: të jetoj përgjithmonë në këtë botë dhe pastaj Xhenet, apo të vij tek Ai tani. Unë zgjodha takimin me Të . Aisha tregon se unë vdiqa në prehrin e saj, dhe kur dora ime ra, ajo e dinte se kisha shkuar . Nuk lashë asnjë dinar e asnjë dirhem. Lashë pas një fjalë: “La ilahe il-lAll-llah, Muhammedun Resulullah”. Dhe atë fjalë e kam lënë trashëgim për të gjithë ju.
Unë: Një pyetje për ditët tona. Sot, miliona njerëz të duan pa të parë, përsërisin emrin tënd pa u lodhur, mundohen të ndjekin gjurmët e tua në çdo gjë, që nga mënyra si flesh e si hash, deri te mënyra si falesh. Si është të jesh i dashur nga kaq shumë zemra që nuk të kanë parë kurrë?
Muhamedi a.s.: (Lotët i shkëlqejnë në sy, por nuk rrjedhin) Unë i dëgjoj ata, o bir. Edhe pse nuk i shoh, i dëgjoj. Kur thonë salavatet, emri im ngjitet tek unë. Kur përmendin emrin tim, unë jam aty. Dhe unë lutem për ta natën, ashtu siç lutesha për shokët e mi. Unë jam babai i tyre, edhe pse nuk më kanë parë. Dhe në Ditën e Gjykimit, unë do të jem i pari që do të çel derën e Xhenetit për umetin tim . Mos u trembni, o bijtë e mi. Rruga që unë lashë pas është e qartë si dielli. Ecni në të, dhe një ditë do të takohemi pranë burimit të Kevtherit .
Unë: Një fjalë të fundit për ata që do ta lexojnë këtë bisedë?
Muhamedi a.s.: (Filloi të bëhet i tejdukshëm, duke u përzier me dritën e muzgut mbi Mekë) Thuaju: Unë isha njeri si ju, por Zoti më zgjodhi. Unë haja ushqim dhe ecja në tregje, qaja kur vdisnin fëmijët e mi, gëzohesha kur besonte dikush. Mos më bëni më shumë se ç’jam, por mos më bëni edhe më pak. Unë jam robi i Tij dhe i dërguari i Tij. Dhe ju lë trashëgim dy gjëra: Librin e Tij dhe familjen e traditën time . Kapuni pas tyre dhe nuk do të humbni kurrë. Dhe kur të ndieni se bëhet errësirë rreth jush, mbani mend se unë thashë: “Unë kam lënë mes jush diçka që, nëse i përmbaheni, nuk do të humbni kurrë: Librin e Allahut” . Ai është drita që nuk shuhet. Dhe unë jam ai që ju kam dashur më shumë se vetveten, edhe pse nuk më keni parë.
(U zhduk si një pëshpëritje në erën e mbrëmjes, duke lënë pas vetëm erën e temjanit dhe një kujtim se diku, në fillim të kohës, një jetim kishte ndryshuar historinë e botës, jo me shpatë, por me fjalën “La ilahe il-lAll-llah”. Dhe unë kuptova se çdo njeri që zgjedh të jetë i sinqertë, i besueshëm, i mëshirshëm, dhe që e do Zotin e vet mbi çdo gjë, mban në vete një pjesë të asaj drite që zbriti një herë në shpellën Hira dhe ndriçon ende botën. Dhe ajo dritë, edhe pas katërmbëdhjetë shekujsh, nuk është shuar kurrë.)

