“Agjencia izraelite ‘Shin Bet’ mori informacione të inteligjencës para sulmit të 7 tetorit”

“Agjencia izraelite ‘Shin Bet’ mori informacione të inteligjencës para sulmit të 7 tetorit”

Një burim i cili ka punuar për agjencinë izraelite të sigurisë ‘Shin Bet’ në Rripin e Gazës ka përcjellë informacione specifike se grupi palestinez Hamas po planifikonte të kryejë një lëvizje të madhe në fillim të tetorit, transmeton Anadolu.

Siç raporton transmetuesi izraelit ‘Channel 12’, informacioni arriti në ‘Shin Bet’ gjatë verës, duke theksuar qartë se “Hamasi po planifikonte një lëvizje të madhe në javën pas festës Yom Kippur”.

Megjithatë, tha transmetuesi izraelit, informacioni nuk iu transmetua zyrtarëve të lartë në Izrael, sepse besohej se informacione shtesë mbështetëse do të vinin nëse një gjë e tillë ishte e pashmangshme.

Agjencia ‘Shin Bet’ iu përgjigj raportimit të kanalit.

“Në këtë kohë, ne jemi duke u fokusuar në luftime. ‘Shin Bet’ është e gatshme të kryejë hetime të thella dhe gjithëpërfshirëse me qëllim të marrjes së mësimeve dhe në këtë kontekst të gjitha informacionet e disponueshme do të shqyrtohen”, tha agjencia.

Izraeli ka nisur një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës, një enklavë e rrethuar palestineze, që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 21.110 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur 55.243 të tjerë.

Sulmi e ka shndërruar Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës së enklavës të dëmtuar ose shkatërruar dhe me gati 2 milionë njerëz të zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

MARKETING