Agjencia Bërthamore e OKB-së bën paralajmërimin e fortë: Irani po rrit ndjeshëm rezervat e uraniumit

Irani ka rritur ndjeshëm rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, duke e çuar atë në mbi 400 kilogramë me pastërti 60%, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) në një raport të klasifikuar, të siguruar nga BBC.
Kjo shifër përfaqëson një rritje prej pothuajse 50% në vetëm tre muaj, dhe është më e larta që nga fillimi i programit bërthamor të Iranit. Kjo sasi e uraniumit, nëse pasurohet më tej, do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar deri në 10 armë bërthamore, sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.
Kjo rritje ka shkaktuar shqetësim të madh ndërkombëtar, me Drejtorin e Përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Grossi, që e quajti situatën “seriozisht shqetësuese”.
“Rritja e prodhimit dhe akumulimit të uraniumit të pasuruar në nivele kaq të larta nuk mund të justifikohet më me përdorime civile”, tha Grossi.
Izraeli reagoi ashpër ndaj raportit, duke akuzuar Iranin se është “plotësisht i përkushtuar për të zhvilluar armë bërthamore”.
Nga ana tjetër, Irani vijon të insistojë se programi i tij është krejtësisht paqësor. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi në televizionin shtetëror se “armët bërthamore janë të papranueshme” për Republikën Islamike.
Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se nëse Irani merr vendimin për të ndërtuar një armë bërthamore, ai mund të prodhojë materialin e nevojshëm brenda dy javësh dhe potencialisht të ndërtojë një bombë brenda disa muajsh.