AFP do të evakuojë gazetarët në rrezik urie në Gaza

Menaxhmenti i Agjencisë franceze të lajmeve (AFP) ka njoftuar planet për të evakuuar gazetarët e saj që punojnë në Gaza, pas një paralajmërimi nga shoqata e gazetarëve mbi rrezikun e urisë për shkak të bllokadës dhe sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite, transmeton Anadolu.
“Jeta e tyre është në rrezik dhe për këtë arsye ne u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë evakuimin e tyre të menjëhershëm së bashku me familjet e tyre”, shkroi menaxhmenti i agjencisë franceze të lajmeve në X.
Duke riafirmuar se ata arritën të evakuonin tetë anëtarë të stafit dhe familjet e tyre nga Gaza midis janarit dhe prillit 2024, AFP theksoi se do të ndërmarrin të njëjtat hapa për kontribuuesit e tyre të pavarur.
“Për muaj të tërë, ne kemi qenë dëshmitarë të pafuqishëm të përkeqësimit dramatik të kushteve të tyre të jetesës. Situata e tyre tani është e padurueshme, pavarësisht guximit të tyre shembullor, angazhimit profesional dhe qëndrueshmërisë”, tha ajo.
“Që nga themelimi i AFP-së në gusht të vitit 1944, kemi humbur gazetarë në konflikte, kemi pasur të plagosur dhe të burgosur në radhët tona, por askush prej nesh nuk kujton të ketë parë një koleg të vdesë nga uria”, tha shoqata në një postim në X.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur të gjitha kalimet në Gaza, duke ndaluar hyrjen e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmës humanitare.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se politika e qëllimshme e urisë e Izraelit ka çuar në vdekjen e 88 palestinezëve, përfshirë 78 fëmijë, që nga tetori 2023 për shkak të urisë dhe kequshqyerjes.