Afganistan, rritet në 2.205 numri i viktimave nga tërmeti

Numri i viktimave nga tërmeti 6 ballësh që goditi Afganistanin është rritur në 2.205, transmeton Anadolu.
“ToloNews”, duke cituar një deklaratë nga Hamdullah Fitrat, zëvendës zëdhënësi i qeverisë së përkohshme afgane, raportoi se numri i të vdekurve nga tërmeti është rritur në 2.205 ndërsa numri i të plagosurve në 3.640.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të goditura të provincës Kunar, përfshirë Nur Gal, Sawki, Chapa Dara dhe Manogi.
– Tërmeti në Afganistan
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) njoftoi më 31 gusht se një tërmet me magnitudë 6 ballë goditi Afganistanin 27 kilometra në verilindje të Jalalabadit, pranë kufirit pakistanez, në një thellësi prej 8 kilometrash.
Autoritetet vendase thanë se ky është një nga tërmetet më të forta që ka goditur vendin.