Aeroplanët britanikë kryen një mision 12-orësh me SHBA-në dhe NATO-n pranë kufirit rus

Britania e Madhe tha të shtunën se dy aeroplanë të Forcave Ajrore Mbretërore kryen një mision 12-orësh më parë këtë javë së bashku me forcat amerikane dhe të NATO-s për të patrulluar kufirin e Rusisë.
Dhe ky veprim vjen mes një serie ndërhyrjesh të fundit me dronë dhe aeroplanë rusë në hapësirën ajrore të NATO-s.
“Ky ishte një mision i përbashkët i konsiderueshëm me aleatët tanë të SHBA-së dhe NATO-s”, citohet të ketë thënë ministri i Mbrojtjes, John Healey.
“Kjo jo vetëm që ofron informata të vlefshme për të rritur ndërgjegjësimin operacional të Forcave tona të Armatosura, por dërgon një mesazh të fuqishëm të unitetit të NATO-s për (Presidentin rus Vladimir) Putin dhe kundërshtarët tanë”, shtoi Healey.
Siç theksohet më tej, një aeroplan mbikëqyrjeje elektronike RC-135 Rivet Joint dhe një aeroplan patrullimi detar P-8A Poseidon fluturuan nga rajoni i Arktikut përtej Bjellorusisë dhe Ukrainës të enjten, të mbështetur nga një avion furnizimi me karburant KC-135 i Forcave Ajrore Amerikane.
Britania tha se operacioni pasoi ndërhyrjet në hapësirat ajrore të vendeve të NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Estoninë.
Më parë këtë muaj, udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbështetën planet për të forcuar mbrojtjen e bllokut kundër dronëve rusë.