Administrata Trump reagon ashpër ndaj vendimit të gjykatës për tarifat

Kabineti i presidentit amerikan, Donald Trump ka reaguar me forcë ndaj një vendimi të fundit gjyqësor që vë në pikëpyetje ligjshmërinë e tarifave të vendosura gjatë administratës së tij, duke e cilësuar ndërhyrjen e gjykatës si të pabazuar dhe të rrezikshme për autoritetin ekzekutiv.
Shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e quajti vendimin një “grusht shteti gjyqësor”, duke akuzuar gjykatën për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në rolin e presidentit në menaxhimin e emergjencave kombëtare. Zëdhënësi Kush Desai shtoi se “nuk u takon gjyqtarëve të pazgjedhur të përcaktojnë mënyrën se si duhet adresuar një krizë kombëtare.”
Vendimi, që buron nga një padi e ngritur nga disa shtete dhe kompani kundër tarifave të vendosura nga administrata Trump, ka rikthyer përplasjet e forta mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor në Shtetet e Bashkuara, duke hapur sërish debatet mbi kufijtë e kompetencave kushtetuese, shkruan reuters.
Në një rast tjetër të fundit, një gjykatë bllokoi përkohësisht vendimin për revokimin e lejes që i mundësonte Universitetit të Harvardit të regjistronte studentë të huaj me viza, duke shtuar më tej tensionet mes institucioneve.
Sipas ekspertëve ligjorë, këto përplasje nuk lidhen thjesht me politikat e një administrate të caktuar, por prekin vetë arkitekturën institucionale të qeverisë amerikane dhe raportin e saj ndër-institucional, me pasoja të mundshme afatgjata.
Vendimi gjyqësor për tarifat pritet të apelohet në instanca më të larta, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Rezultati mund të vendosë një precedent të rëndësishëm kushtetues për mënyrën se si presidentët e ardhshëm do të mund të ushtrojnë autoritetin e tyre në çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare.