“Administrata Trump në SHBA e shqetësuar për sulmet e Izraelit ndaj Sirisë”

“Administrata Trump në SHBA e shqetësuar për sulmet e Izraelit ndaj Sirisë”

Administrata e Presidentit Donald Trump në SHBA thuhet se është e shqetësuar se sulmet izraelite brenda Sirisë mund të destabilizojnë vendin dhe të dobësojnë perspektivat për një marrëveshje të mundshme sigurie midis Izraelit dhe Sirisë, transmeton Anadolu.

Duke folur për platformën e lajmeve “Axios” me seli në SHBA, në kushte anonimiteti, dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se këto shqetësime u ngritën pas një telefonate midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Zyrtarët thanë se Shtëpia e Bardhë nuk ishte informuar paraprakisht për sulmin ndaj Sirisë dhe nuk e paralajmëroi Sirinë përmes kanaleve ushtarake, siç ka bërë Izraeli në të kaluarën.

Zyrtarët gjithashtu thanë se kishin folur me Netanyahun për ta nxitur atë të ndalonte sulmet, duke shtuar: “Sepse nëse ai vazhdon kështu, do të shkatërrojë veten, do të humbasë një mundësi të madhe diplomatike dhe do ta kthejë qeverinë e re siriane në një armik”.

Më tej, zyrtarët theksuan se publiku sirian po kërkon kundërpërgjigje për humbjet në sulme dhe se veprimet e Netanyahut po dëmtojnë pjesërisht punën për marrëveshjen, të cilën Washingtoni shpreson se do të jetë një hap i parë drejt pranimit përfundimtar të Sirisë në Marrëveshjet e Abrahamit.

Zyrtarët amerikanë kanë nënvizuar shqetësimet e administratës Trump se sulmet izraelite mund të destabilizojnë Sirinë.

Dje, Trump theksoi mbështetjen e tij për hapat e ndërmarrë nga Siria “për të ndërtuar një vend të vërtetë dhe të begatë” dhe i bëri thirrje Izraelit të “mbajë një dialog të fortë dhe të sinqertë me Sirinë”.

Presidenti sirian, Ahmed Shara, kishte deklaruar më parë se ushtria izraelite kishte kryer më shumë se 1.000 sulme ajrore dhe 400 sulme tokësore në Siri midis 8 dhjetorit 2024, kur u rrëzua regjimi, deri më 18 shtator 2025.

MARKETING