Abdixhiku: Zgjidhja jonë mbetet deri kur janë të gatshëm të tjerët, tash po merremi me zgjedhjet lokale

Abdixhiku: Zgjidhja jonë mbetet deri kur janë të gatshëm të tjerët, tash po merremi me zgjedhjet lokale

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas zhvillimeve të fundit sa i përket krijimit të institucioneve.

MARKETING

Ai ka thënë se kanë dhënë zgjidhje e po presin deri sa janë të gatshëm të tjerët. Deri sa ka shtuar gjatë kësaj kohe partia që ai drejton po merret me zgjedhjet lokale.

“Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet – kurdo që janë të gatshëm të tjerët. Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë.

Do të merret me Zgjedhjet Lokale.

Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë.”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe me 206 këshilltarë lokal, po himë në këtë proces me plot vullnet e me plot bindje. Po himë dhe me plot përgatitje. Plot 6 muaj kohë.

Prandaj, nga sot nisim konsultimet e brendshme për kandidatët për Kryetarë të Komunave e për këshilltarë lokal. Për nominimin e njerëzve me integritet e vullnet për të shërbyer në secilin qytet.

Të gjithë ata që duan të përfaqësojnë vizionin tonë politik, vlerat tona, programet tona; të gjithë ata që duan t’i përfaqësojnë qytetarët tanë – i ftoj të bëhen pjesë e këtij procesi.

LDK i ka dyertë e hapura për secilin. LDK mbetet e juaja. LDK mbetet dashni!”, ka përfunduar ai.

MARKETING