Abazi: Fenomeni i intolerancës fetare tek ne

Abazi: Fenomeni i intolerancës fetare tek ne

MARKETING

Shkruan: Husamedin Abazi

MARKETING

Sample Image

Ka kohë që kam filluar të mendoj se ndoshta po e gënjejmë veten kur themi se jemi populli më tolerant ndaj atyre që kanë përkatësi tjetër fetare. Mendoj se fenomeni relativisht i ri i internetit dhe i rrjeteve sociale na ka zbuluar një realitet jo pak të hidhur, i cili flet për një nivel të caktuar intolerance të një pjese jo të vogël të shqiptarëve ndaj shqiptarëve me përkatësi tjetër fetare.
Ndoshta mund të jem paksa subjektiv, por nga ajo që kam hasur prej kohësh, më duket se një pjesë e komunitetit katolik shqiptar shpesh shfaq më shumë intolerancë dhe jo pak ofendime ndaj komunitetit musliman shqiptar. Këtë e has pothuajse çdo ditë në shkrime, ligjërata apo prononcime informuese dhe paqësore që bëhen nga muslimanët shqiptarë. Shpesh ndodh që në këto hapësira të hyjnë komentues katolikë shqiptarë dhe të lënë komente tejet ofenduese dhe nënçmuese në aspektin fetar.

Përveç ofendimeve ndaj personaliteteve fetare islame, shpesh hasen edhe sharje shumë të ulëta, të bëra pa asnjë shkak të arsyeshëm, por thjesht nga një urrejtje e pakuptimtë ndaj “vëllezërve” të tyre shqiptarë muslimanë. Kushdo që dëshiron ta vërtetojë këtë që po them, mund të hyjë në faqet e disa hoxhallarëve dhe të lexojë postimet e tyre, të cilat zakonisht janë të shkruara me tone të arsyeshme dhe pa ofenduar askënd. Megjithatë, në komentet poshtë tyre shpesh gjenden reagime fyese, sidomos nga disa komentues katolikë, të cilët nuk hyjnë aty për t’u informuar apo për të debatuar në mënyrë të qytetëruar, por vetëm për të nënçmuar dhe ofenduar hoxhallarët, Islamin dhe komunitetin musliman shqiptar.

Nuk pretendoj se disa muslimanë shqiptarë nuk veprojnë në mënyrë të ngjashme ndaj shqiptarëve katolikë. Edhe nga ana e tyre ka raste ofendimesh dhe sharjesh. Megjithatë, sipas asaj që kam vërejtur, numri i tyre dhe gjuha e përdorur nuk duket të jenë në të njëjtin nivel me atë që shpesh përdoret nga disa komentues katolikë ndaj muslimanëve.

Për fat të keq, trashëgimia e shkëlqyer e harmonisë fetare që është ndërtuar nga hoxhallarët dhe priftërinjtë ndër breza, duket se në dekadat e fundit po zbehet. Çdo ditë e më shumë, porositë e arta që ata na kanë lënë rrezikojnë të mbeten vetëm si kujtime në disa shkrime si ky i imi sot. Apo ndoshta kjo harmonia fetare ishte vetëm një iluzion nga ana jonë. Një iluzion që duke e përsëritur shpesh në mendjet e në fletët tona u bë realitet për ne, por jo për të tjerët. Harruam që të tjerët ndiheshin ndryshe karshi nesh, apo ndoshta deshëm të harronim. Pra, përderisa ndjenja ekzistonte në mesin tonë, ne vetëvetiu e gjeneralizuam, e bëmë të përgjithshme. E tani kur balancat e fuqisë gjendën më të pabalancuara, ne u gjendëm të mbështetur për muri, ndoshta deri diku edhe të lënduar nga realiteti që nuk është i sotëm, por i maskuar relativisht mirë nga edhe ne vetë. Ne morëm porosi, por jo çdoherë porositë shpërfaqin vullnetin e atyre në emër të të cilëve flitet, të paktën jo të anës tjetër. Sidoqoftë, ato porosi janë të vlefshme dhe vlen të ndjehen kur lexohen e jo të përdoren si prova të pabaza që të mbulojnë realitetin ekzistues.

Ndër këto porosi të çmuara janë:
“Pa bashkim të shqiptarëve, pa dallim feje, nuk mund të ketë Shqipëri të fortë.”(Hoxhë Vehbi Agolli, Myftiu i Shqipërisë dhe delegat i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.)

“Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por Shqipninë e kemi bashkë.”(Gjergj Fishta, prift françeskan dhe figurë e shquar e kulturës shqiptare.)

“Shqiptari duhet ta respektojë fenë e tjetrit si të vetën.”(Anton Harapi)
“Bashkimi i shqiptarëve është më i fortë se çdo dallim feje.”(Haxhi Zeka, udhëheqës dhe personalitet i shquar i Lidhjes së Pejës.)

MARKETING