Pa marrëveshje për buxhetin, mbyllet para kohe Samiti i BE-së

Pa marrëveshje për buxhetin, mbyllet para kohe Samiti i BE-së

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz tha të enjten vonë se një samit i posaçëm i Bashkimit Evropian për buxhetin e ardhshëm afatgjatë përfundoi herët sepse pozicionet e liderëve mbeten shumë larg njëri-tjetrit, transmeton Anadolu.

“Ne duhet të pranojmë se idetë se si duhet ta formësojmë atë janë ende larg njëra-tjetrës”, tha Merz në një konferencë për media në Bruksel pas bisedimeve intensive mbi buxhetin e BE-së 2028-2034, i njohur gjithashtu si Korniza Financiare Shumëvjeçare.

“Ne të gjithë e dimë se do të duhet kohë dhe një vullnet i madh i mirë për të kapërcyer këto dallime të rëndësishme në perspektivë”, tha ai. Udhëheqësit ranë dakord gjatë diskutimeve të tyre që të mos rifillojnë bisedimet zyrtare sot në mëngjes dhe në vend të kësaj të mbajnë një raund përfundimtar rreth mesnatës.

Këshilli Evropian tani do të përballet me një detyrë më të vështirë, tha Merz duke shtuar se vendet anëtare do të punojnë për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit.

“Tani po përgatitemi për një samit relativisht intensiv të liderëve të BE-së më 17 dhjetor. Ne pastaj do të shohim nëse do të kemi sukses. Nuk mund të jem i sigurt, por nuk kam hequr dorë nga shpresa se do t’ia dalim”, tha kancelari gjerman.

Udhëheqësit mbërritën në Bruksel të enjten për një samit të posaçëm dy-ditor që synonte kapërcimin e dallimeve në buxhetin afatgjatë.

Para samitit, Merz u tha gazetarëve se propozimi i fundit i presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ishte shumë i lartë, përtej niveleve të pranueshme. Ai kërkoi shkurtime më të thella, përjashtoi huamarrjen e re dhe këmbënguli se buxheti duhet t‘u japë qartësisht përparësi detyrave thelbësore që forcojnë aftësitë mbrojtëse të Evropës dhe sigurojnë mbështetje të qëndrueshme për Ukrainën.

Përpara bisedimeve zyrtare, Merz u takua me liderë me të njëjtin mendim nga vendet me kontribut neto – vendet anëtare që paguajnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa marrin mbrapsht. Grupi, i cili e quan veten “Sensible Seven”, vazhdon të bëjë presion për një kurs të vështirë kursimesh, përfshirë fondet që mbështesin rajonet më të varfra, mes ndarjeve të thella.

Komisioni Evropian fillimisht kishte propozuar paketë prej 1.985 trilionë euro në korrik për buxhetin 2028-2034 të bllokut prej 27 anëtarësh. Ky plan u refuzua nga Gjermania dhe disa shtete të tjera të pasura anëtare. Që atëherë, Costa ka paraqitur propozim kompromisi me vlerë 1.781 trilionë euro. Edhe pas shkurtimeve, paketa do të ishte ende gati 50 për qind më e madhe se kuadri aktual buxhetor 2021-2027.

Raportet e mediave gjermane tregojnë se Berlini dëshiron që plani origjinal i Komisionit të shkurtohet me rreth 400 miliardë euro, duke e afruar totalin në 1.59 trilionë euro. Kjo do të nënkuptonte një tjetër shkurtim prej rreth 200 miliardë eurosh nga drafti aktual i Costa-s.

MARKETING