“Të dyshuarit për spiunazh kinez krijojnë kompani fiktive për të marrë informacione sekrete nga zyrtarët amerikanë”

“Të dyshuarit për spiunazh kinez krijojnë kompani fiktive për të marrë informacione sekrete nga zyrtarët amerikanë”

Operativë të dyshuar të inteligjencës kineze kanë krijuar një rrjet kompanish fiktive konsulence dhe kanë publikuar njoftime për vende pune, në përpjekje për të siguruar informacione të ndjeshme qeveritare nga zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, transmeton Anadolu.

CNN intervistoi 12 persona të cilëve u ishin drejtuar operativët e dyshuar dhe analizoi faqe interneti të dyshimta. Hetimi evidentoi një fushatë më të gjerë spiunazhi, që kishte në shënjestër ish-punonjës federalë, gazetarë dhe konsulentë të tregtisë.

Sipas CNN-së, operativët e dyshuar përdorën platforma profesionale të rrjeteve, përfshirë LinkedIn-in, për t’u ofruar vende pune që dukeshin legjitime personave që mund të kishin qasje në informacione të vlefshme qeveritare.

Në qershor, Byroja Federale e Hetimit (FBI) sekuestroi 13 faqe interneti të lidhura me kompanitë e dyshuara fiktive të konsulencës. Hetimet e mëtejshme identifikuan më shumë se 100 domene të tjera me karakteristika të ngjashme, sipas Max Lesser, analist i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

“Vetëm këto 13 domene janë maja e ajsbergut”, i tha Lesser CNN-së.

Ai i bëri thirrje Washingtonit që të veprojë më shpejt për të çmontuar rrjetet e dyshimta në internet, duke i cilësuar sekuestrimet si “të nevojshme, por jo të mjaftueshme”.

Ish-zyrtarë i thanë CNN-së se punonjësit federalë të pushuar nga puna gjatë administratës Trump mund të jenë veçanërisht të cenueshëm, pasi janë larguar nga qeveria pa udhëzime të mjaftueshme se si t’u përgjigjen afrimeve nga operativët e inteligjencës së huaj dhe me mbrojtje të kufizuar ndaj përpjekjeve të tilla.

Një zëdhënës i FBI-së tha se byroja po vazhdonte hetimet dhe po ndërmerrte hapa të autorizuar për të kundërshtuar kërcënimin, disa prej të cilëve mund të mbeten konfidencialë.

Zëdhënësi shtoi se byroja po punonte për të rritur ndërgjegjësimin e publikut përmes aktiviteteve informuese.

Kina i hodhi poshtë akuzat. Një zëdhënës i Ambasadës Kineze në Washington i tha CNN-së se Pekini kundërshton përpjekjet për të demonizuar vendin përmes asaj që e cilësoi si “narrativa e ashtuquajtur e ‘spiunëve kinezë’”.

MARKETING