Raporti i BE: Platformat sociale dështojnë në luftën kundër mashtrimeve online

Raporti i BE: Platformat sociale dështojnë në luftën kundër mashtrimeve online

Platformat kryesore të mediave sociale po dështojnë të largojnë përmbajtjet mashtruese, edhe pasi ato raportohen nga përdoruesit. Këtë e konstaton një organ i pavarur evropian i shqyrtimit të ankesave, i cili ka përmbysur shumicën e vendimeve të moderimit të përmbajtjes që ka shqyrtuar, raportoi të martën transmetuesi irlandez RTE.

MARKETING

Shik.mk

Qendra e Apelimeve për Evropën bëri të ditur se gjatë periudhës prill-shtator ka pranuar rreth 43 mijë ankesa që lidhen me Facebook, Instagram, TikTok, YouTube dhe platforma të tjera. Mbi 19 mijë prej tyre kanë plotësuar kriteret për t’u shqyrtuar.

Sipas organizatës, platformat kanë lejuar që përmbajtje mashtruese të qëndrojnë online, pavarësisht se ato shkelin rregullat e tyre të brendshme. Situata është bërë edhe më shqetësuese për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale, e cila po i bën mashtrimet gjithnjë e më të vështira për t’u identifikuar.

Raporti tregon se Qendra ka përmbysur rreth 75% të vendimeve të shqyrtuara. Përqindja më e lartë është regjistruar te YouTube, me 93%, e ndjekur nga TikTok me 77% dhe Instagram me 75%.

Ndër rastet e trajtuara përfshihen mashtrime me investime dhe skema romantike të krijuara përmes inteligjencës artificiale, si dhe video mashtruese që lidhen me luftën Rusi-Ukrainë dhe përmbytjet në Valencia të Spanjës, në vitin 2024.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Apelimeve për Evropën, Thomas Hughes, deklaroi se platformat e mediave sociale nuk duhet të kthehen në strehë të sigurt për mashtruesit.

Organizata, me seli në Dublin, shqyrton mosmarrëveshjet që lidhen me moderimin e përmbajtjes në bazë të Aktit të Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian (DSA).

Megjithëse vendimet e saj nuk janë ligjërisht detyruese, platformat janë të detyruara të angazhohen me organizatën në mirëbesim.

MARKETING