Siria heq kërkesën për miratim paraprak të hyrjes për shtetasit amerikanë dhe britanikë pas polemikave
Siria ka hequr kërkesën që shtetasit amerikanë dhe britanikë të marrin miratim paraprak përpara hyrjes në vend, pas polemikave të shkaktuara nga videot e amerikanëve që pretendonin se u ishte refuzuar hyrja, transmeton Anadolu.
“Procedurat e hyrjes për shtetasit amerikanë dhe britanikë janë rikthyer në rregullimin e mëparshëm, pas heqjes së kërkesës për miratim paraprak”, tha zv/ministri i Jashtëm për Çështjet Konsullore, Mohammad Yaqoub al-Omar.
Sipas Agjencisë Arabe Siriane të Lajmeve (SANA) al-Omar tha se kjo kërkesë ishte vendosur si masë e përkohshme, por nuk shpjegoi arsyet e vendosjes apo të tërheqjes së saj. Ai shtoi se procedurat e hyrjes për shtetasit e vendeve të tjera mbeten të pandryshuara.
Njoftimi erdhi një ditë pasi në rrjetet sociale qarkulluan video ku shtetas amerikanë pretendonin se u ishte refuzuar hyrja në vend, duke ngritur pikëpyetje lidhur me kufizimet e reja për vizitorët e huaj.
Dje, drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit në Autoritetin e Përgjithshëm Sirian për Portet dhe Doganat, Mazen Alloush, konfirmoi se shtetasit amerikanë ishin shtuar së fundmi në listën e kombësive që kërkojnë miratim paraprak nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ai tha se vizat lëshoheshin në pikat kufitare, por se disa kombësi kërkonin miratim paraprak nga autoritetet përkatëse.
Alloush theksoi se autoriteti zbaton udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nuk vendos se cilat kombësi i nënshtrohen kësaj kërkese.
Autoritetet siriane nuk specifikuan se për sa kohë kishte qenë në fuqi kufizimi për shtetasit amerikanë dhe britanikë.
Më 29 prill, Ministria e Punëve të Jashtme mohoi raportimet për ndryshime në procedurat e hyrjes për shtetasit e huaj, duke deklaruar se rregulloret sipas Vendimit nr. 128, të nxjerrë në korrik të vitit 2025, mbeteshin në fuqi.

