Britani, peticioni që kërkon hetim mbi bashkëfajësinë në gjenocidin e Izraelit në Gaza kalon 100 mijë nënshkrime

Britani, peticioni që kërkon hetim mbi bashkëfajësinë në gjenocidin e Izraelit në Gaza kalon 100 mijë nënshkrime

Një peticion që kërkon hapjen e një hetimi publik lidhur me bashkëpërgjegjësinë e pretenduar të Britanisë në gjenocidin e Izraelit në Gaza ka mbledhur më shumë se 100 mijë nënshkrime, duke bërë që Parlamenti të shqyrtojë mundësinë e zhvillimit të një debati për këtë çështje, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Peticioni, i cili të hënën arriti pragun e kërkuar të nënshkrimeve, i bën thirrje qeverisë britanike të nisë hetim të pavarur për çdo përfshirje të Britanisë në operacionet izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Ai kërkon në mënyrë të veçantë hetimin e shitjes, furnizimit dhe përdorimit të armëve, shfrytëzimit të bazave të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) dhe informacioneve të mbledhura gjatë fluturimeve vëzhguese të RAF-it.

“Ne duam që qeveria britanike të nisë hetim për çdo përfshirje të Britanisë në operacionet izraelite në Gaza, përfshirë shitjen, furnizimin ose përdorimin e armëve, avionëve vëzhgues dhe bazave të Forcave Ajrore Mbretërore. Ne besojmë se Britania ka luajtur rol thelbësor në operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza”, thuhet në peticion.

Peticioni kërkon që hetimi të ketë kompetencën për të marrë në pyetje ministrat dhe zyrtarët qeveritarë të përfshirë në procesin e vendimmarrjes, veçanërisht lidhur me armët e furnizuara për Izraelin, përdorimin e bazave të RAF-it, informacionet e mbledhura gjatë fluturimeve të saj dhe këshillat ligjore të kërkuara nga qeveria për çështjen nëse në Gaza është kryer gjenocid.

Peticioni u iniciua nga Jennifer Forbes, kryetare e komitetit ekzekutiv të Partisë Tuaj (Your Party), një parti politike e majtë e themeluar nga ish-lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn dhe figura të tjera të së majtës.

“Ne nuk do të tërhiqemi derisa ta sigurojmë këtë hetim. Duam të vërtetën dhe duam drejtësi”, shkroi Corbyn të hënën në rrjetin social amerikan X.

MARKETING