Iraku rihap pikëkalimin kufitar “Shib” me Iranin pas tre javësh mbylljeje

Iraku rihap pikëkalimin kufitar “Shib” me Iranin pas tre javësh mbylljeje

Iraku rihapi sot pikëkalimin kufitar “Shib” me Iranin për udhëtarët dhe trafikun tregtar, pas një mbylljeje trejavore, ndërsa njoftoi se pikëkalimi “Mandali” do të mbyllet përkohësisht nga e premtja për punime mirëmbajtjeje, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Kreu i Autoritetit të Pikëkalimeve Kufitare të Irakut, Omar al-Waeli tha në një deklaratë të publikuar nga Agjencia Zyrtare Irakiane e Lajmeve (INA) se “Shib” u rihap sot në orën 08:00 sipas kohës lokale, pas përfundimit të kërkesave dhe procedurave teknike të nevojshme për rifillimin e funksionimit.

Ai bëri të ditur se “Mandali” do të mbyllet nga ora 08:00 sipas kohës lokale të së premtes, për të përfunduar punimet përgatitore dhe të mirëmbajtjes në prag të sezonit të shirave. Sipas tij, kushtet atmosferike gjatë këtij sezoni mund të ndikojnë në lëvizjen e automjeteve brenda pikëkalimit, çka e bën të nevojshme kryerjen e këtyre punimeve.

Autoriteti nuk përcaktoi se sa do të zgjasë mbyllja e “Mandali”-t, duke bërë të ditur se data e rihapjes do të njoftohet pas përfundimit të punimeve. Pikëkalimi “Shib” ndodhet në provincën Maysan në juglindje të Irakut dhe lidhet me pikëkalimin “Chazabeh” në provincën Khuzestan të Iranit. Ndërkaq, “Mandali” ndodhet në provincën lindore irakiane të Dijalas.

Më 21 tetor, zëdhënësi i qeverisë irakiane, Haider al-Abboudi ia atribuoi mbylljen e “Shib”-it mungesës së gatishmërisë teknike, duke thënë se tregtia me Iranin kishte vazhduar përmes pikëkalimeve të tjera kufitare. “Shib” ishte mbyllur gjithashtu në shtator, si pjesë e masave që Qendra e Medias së Sigurisë e Irakut i kishte cilësuar si përpjekje për riorganizimin e funksionimit të kufijve dhe hetimin e shkeljeve në pikat kufitare.

Në atë kohë, autoritetet i mbajtën të hapura për udhëtarët pikëkalimet “Zurbatiyah” dhe “Al-Mundhiriyah”, përpara se kryeministri Ali al-Zaidi të urdhëronte lejimin e kalimit përmes “Shib”-it dhe “Shalamcheh”-ut të udhëtarëve që kishin mbetur të bllokuar.

MARKETING