Rubio: Marrëveshja diplomatike me Iranin mund të mos jetë e mundur, Teherani ka kërkesa jorealiste
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio sugjeroi të dielën se arritja e një marrëveshjeje diplomatike me Iranin mund të mos jetë e mundur, duke akuzuar Teheranin se ka bërë kërkesa joreale dhe duke paralajmëruar se negociatat nuk janë afër një përparimi, transmeton Anadolu.
“Keni një numër vendesh që vazhdojnë të angazhohen me ide të ndryshme, por nuk do të thoja se jemi në prag të një përparimi”, u tha Rubio gazetarëve përpara se të nisej për në Paris për të marrë pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të G7-tës.
“Presidenti gjithmonë do të preferonte ta zgjidhte këtë dhe çdo problem në mënyrë diplomatike. Ndonjëherë kjo nuk është e mundur, për fat të keq”, shtoi ai. Rubio tha se Washingtoni mbetet i gatshëm për të eksploruar mundësitë diplomatike, por i karakterizoi negociatat si joproduktive, duke i përshkruar kërkesat iraniane si “të egra, qesharake dhe joreale”.
– Trump veproi pavarësisht kostove politike
Duke mbrojtur mënyrën e trajtimit të luftës me Iranin nga presidenti amerikan Donald Trump tashmë në muajin e nëntë, Rubio argumentoi se Trumpi ishte përballur me kërcënim afatgjatë ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, pavarësisht nga pasojat e mundshme politike. Ai tha se parandalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore duhet të mbetet prioritet dypartiak.
Vërejtjet erdhën përpara takimit të ministrave të Jashtëm të G7 në Paris të hënën dhe të martën, ku konflikti i Iranit është ndër çështjet që pritet të diskutohet.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt. Një armëpushim u arrit në prill, i ndjekur nga një memorandum në qershor që synonte të siguronte një marrëveshje paqeje, por negociatat nuk kanë arritur të prodhojnë një zgjidhje përfundimtare.
Komentet e Rubios vijnë pas sulmeve të kufizuara të SHBA-së në ishullin Qeshm të Iranit në ngushticën e Hormuzit në ditët e fundit, ku Trumpi konfirmoi të premten se forcat amerikane kishin shënjestruar sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore.
Lidhur me rrethanat në të cilat Washingtoni mund të kryejë sulme të mëtejshme ushtarake, Rubio pohoi se veprimet e SHBA-së janë mbrojtëse dhe varen nga kërcënimet ndaj forcave amerikane ose trafikut detar. “Epo, SHBA-ja vepron në mënyrë mbrojtëse. Nëse ka kërcënim për forcat tona në rajon, ne do të veprojmë kundër tyre. Nëse ka kërcënim për transportin detar, ne kemi mbrojtur anijet për një kohë”, tha ai.
“Pra, nëse ekziston kërcënim i qartë dhe i pranishëm për anijet ose forcat tona në rajon, ne kemi të drejtë të mbrohemi”, shtoi ai. Rubio tha se çdo veprim i tillë do të varet nga niveli i kërcënimit dhe nëse forcat iraniane sulmojnë apo po përgatiten potencialisht për të sulmuar interesat e SHBA-së.

