Arabia Saudite: Ndërtesa e Aramco-s pësoi “dëme të vogla” pas një sulmi të tentuar në Riad
Mbetjet e predhave të rëna kanë shkaktuar “dëme të vogla” në një ndërtesë administrative të gjigantit shtetëror saudit të naftës Aramco, pas një sulmi të tentuar në kryeqytetin Riad, transmeton Anadolu.
Një burim zyrtar nga Ministria e Energjisë tha se nga incidenti nuk ka persona të lënduar.
Burimi tha se autoritetet përkatëse “reaguan menjëherë ndaj incidentit dhe morën masat e nevojshme”.
Njoftimi erdhi pasi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili lufton kundër rebelëve Huthi në Jemen, raportoi se sot herët kishte interceptuar dhe shkatërruar raketa mbi Riad dhe rajonet jugore të mbretërisë.
Ngjarja ndodhi në një kohë të përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe grupit Huthi, i cili ka ndërmarrë sulme të përsëritura me raketa dhe dronë drejt territorit saudit.

