UNHCR: Gati 90 milionë persona të zhvendosur përballen me rreziqe të mëdha klimatike
Agjencia e OKB-së për Refugjatët ka paralajmëruar se gati 90 milionë persona të zhvendosur me forcë në mbarë botën po përballen me rreziqe të mëdha që lidhen me klimën, përfshirë thatësirat, përmbytjet dhe temperaturat ekstreme, transmeton Anadolu.
Në raportin e saj më të fundit, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) bëri të ditur se gati tre në katër persona të zhvendosur me forcë në nivel global jetojnë në vende që përballen me ekspozim të lartë deri në ekstrem ndaj rreziqeve klimatike.
Agjencia bëri thirrje për “veprim urgjent” për mbrojtjen e refugjatëve dhe personave të tjerë të zhvendosur nga ndikimet gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, në prag të samitit të OKB-së për klimën COP31, që do të mbahet në Antalya të Turqisë.
“Refugjatët përballen me një padrejtësi të dyfishtë. Të detyruar të largohen nga konfliktet që nuk i kanë shkaktuar vetë, ata tani gjenden në vijën e parë të një krize klimatike, në të cilën kanë kontribuar më së paku”, tha Anton Leis Garcia, ndihmës komisioneri i lartë i UNHCR-së për operacionet.
Leis Garcia tha se ndryshimet klimatike nuk janë “kërcënim i largët” për miliona njerëz, por tashmë po dëmtojnë drejtpërdrejt mjetet e tyre të jetesës. Ai paralajmëroi se bota “nuk mund të lejojë që ata që tashmë kanë humbur kaq shumë të lihen pas dore në veprimet globale për klimën”.
Raporti i UNHCR-së theksoi se ndryshimet klimatike po kërcënojnë mundësinë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur. Në të nënvizohet se “më shumë se dy në tre” refugjatë që u kthyen në vendet e tyre gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 u rikthyen në vende të cenueshme ndaj rreziqeve klimatike.
– Temperaturat ekstreme dhe përmbytjet kërcënojnë komunitetet e zhvendosura
“Temperaturat ekstreme përbëjnë një tjetër kërcënim në rritje”, thuhet në raport. Deri në vitin 2050, një në tre vendbanime të refugjatëve në Afrikën nën-sahariane mund të përballet me të paktën 100 ditë temperatura të rrezikshme çdo vit, paralajmërohet në raport.
Sipas raportit, më shumë se gjysma e vendndodhjeve të analizuara mund të përjetojnë të paktën 50 ditë shtesë me temperatura të rrezikshme në vit. UNHCR-ja tha se fatkeqësitë e lidhura me kushtet atmosferike kanë shkaktuar më shumë se 255 milionë raste të zhvendosjes së brendshme në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, mesatarisht rreth 70 mijë persona në ditë.
Agjencia paralajmëron për rrezikun e zhvendosjeve të mëtejshme për shkak të përmbytjeve të rënda.
“Parashikimet tregojnë se përmbytjet e rënda, të lidhura me një fenomen shumë të fuqishëm El Nino, mund të shkaktojnë zhvendosjen e deri në 3 milionë personave në Somali, Kenia, Sudanin e Jugut dhe Ugandë deri në fund të vitit 2026, në varësi të intensitetit të përmbytjeve”, thuhet në raport.
– Financimi për klimën mbetet i pamjaftueshëm
Raporti vuri në pah rrezikun në rritje të pashtetësisë si pasojë e ndryshimeve klimatike. Sipas UNHCR-së, gati 90 për qind e 4,7 milionë personave pa shtetësi të raportuar në mbarë botën jetojnë në vende që përballen me rreziqe të larta deri në ekstreme klimatike.
“Pa njohje ligjore, shumë prej tyre përballen me vështirësi për të pasur qasje në ndihmën emergjente dhe mbështetjen për t’u përshtatur, duke i bërë veçanërisht të cenueshëm”, tha agjencia.
Pavarësisht rreziqeve në rritje, vendet e brishta dhe ato të prekura nga konfliktet marrin vetëm rreth 10 për qind të financimit global për klimën, thuhet në raport. “Financimi për klimën duhet të arrijë te komunitetet ku nevojat janë më të mëdha”, tha Leis Garcia.
“Refugjatët dhe komunitetet pritëse duhet të jenë pjesë e këtyre investimeve, e jo të trajtohen si çështje dytësore”, shtoi ai. UNHCR-ja thotë se gjatë COP31 do t’u bëjë thirrje qeverive dhe institucioneve që refugjatët dhe personat e zhvendosur të përfshihen në planet kombëtare për klimën dhe në mekanizmat e financimit.
“Meqenëse Turqia, një nga vendet që strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë, do të jetë nikoqire e COP31, konferenca ofron mundësi të rëndësishme për ta vendosur zhvendosjen dhe nevojat e komuniteteve pritëse në qendër të veprimeve globale për klimën”, thuhet në deklaratën e agjencisë.

