10 vjet nga vdekja e Astrit Deharit, Kurti: Ende s’e dimë emrin e vrasësit
Në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, zyrtarë të lartë shtetërorë, familjarë dhe qytetarë kanë bërë homazhe pranë varrit të tij, duke përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, vdekja e të cilit ende nuk është zbardhur plotësisht.
Pas homazheve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim përkujtimor ka kritikuar mungesën e drejtësisë dhe zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Deharit, duke theksuar se edhe një dekadë më vonë nuk dihet kush është përgjegjës për rastin.
“10 vjet më vonë ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë është kthyer te ngjarjet e 5 nëntorit 2016, kur Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa ka drejtuar kritika ndaj institucioneve të drejtësisë për mënyrën se si është trajtuar rasti ndër vite.
Kurti ka përmendur ndërrimin e pesë prokurorëve gjatë hetimeve, si dhe, sipas tij, përfundimet e nxituara të institucioneve përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë që në orët e para pas vdekjes së aktivistit.
“Pesë prokuror janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij të shtunën e 5 nëntorit 2016, u patën nxituar institucionet përgjegjëse të sigurisë e të drejtësisë asokohe që të japin konstatime para hetimeve, kjo e rëndojë shumë situatën dhe kjo situatë e rënduar vazhdon edhe sot e kësaj dite, përderisa askush nuk është akuzuar, nuk është arrestuar e nuk është gjykuar e dënuar për mbytjen e Astritit”, ka thënë Kurti.

