Një anije e Katarit për transportin e LNG-së goditet nga “objekte të paidentifikuara” në ujërat e Gjirit
Një anije transportuese e gazit natyror të lëngshëm (GNL) nga Katari është goditur nga “objekte të paidentifikuara” teksa lundronte në ujërat e Gjirit të premten në mbrëmje, njoftoi të dielën Kompania e Transportit të Gazit e Katarit, transmeton Anadolu.
Kompania, e njohur edhe si Nakilat, tha se në incident ishte përfshirë anija e saj “Al Mayeda”, por nuk raportoi për të lënduar mes anëtarëve të ekuipazhit apo dëme mjedisore.
“Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit në bord nuk është lënduar dhe si pasojë e këtij incidenti nuk ka pasur ndikim në mjedis”, thuhet në deklaratën e publikuar në Bursën e Katarit.
Nakilat tha se anija ka mbetur e sigurt dhe në gjendje pune pas incidentit.
Kompania shtoi se po vlerëson ndikimin e incidentit dhe se po mban kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet përkatëse të sigurisë detare në rajon.
Ajo tha se “po vazhdon ta monitorojë nga afër situatën”.

