Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë dy ulëse në parlamentin e Serbisë

Kamberi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë dy ulëse në parlamentin e Serbisë

Ish-deputeti i vetëm shqiptar i parlamentit të Serbisë dhe kandidat edhe për një mandat të ri, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në garë për të siguruar dy ulëse në procesin zgjedhor në Serbi, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Kamberi, kryesues i listës së përbashkët shqiptare “Koalicioni Shqiptar”, ka bërë të ditur se në këto zgjedhje është shënuar dalje më e madhe e votuesve nga tri komunat me popullsi shqiptare në Serbi, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

“Rezultatet preliminare flasin se do të jetë prapë 66 për qind, një dalje e lartë në krahasim me vitet e kaluara. Dhe do të jetë tregues i drejtpërdrejtë se a do ta sigurojmë mandatin e dytë, duke pasur parasysh pasivizimin e adresave dhe largimin e të rinjve sidomos për shkak të diskriminimit”, deklaroi ai.

Kamberi ka thënë se procesi zgjedhor ka vijuar përgjithësisht i rregullt, me disa parregullsi të vogla në fillim të votimit.

Sa i përket mundësisë për mandatin e dytë, Kamberi ka theksuar se rezultati varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet në Serbi.

“Nëse shkon në 70 për qind, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65 për qind, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi.

Duke folur për pasivizimin e adresave, ai ka thënë se personat e prekur nga ky proces janë larguar edhe nga regjistrat e votuesve. Këtu, ai ka përmendur veçanërisht Medvegjën, ku, sipas tij, pasivizimi i adresave ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të shqiptarëve.

Megjithatë, Kamberi ka vlerësuar mobilizimin e votuesve shqiptarë dhe ka falënderuar edhe qytetarët me të drejtë vote në Serbi që kanë ardhur nga Kosova për të ushtruar të drejtën e votës.

Krerë të institucione të larta në Kosovë u bënë thirrje shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, një koalicion i cili bashkoi tetë parti politike shqiptare nga tri komunat e Luginës së Preshevës, e cila ka rreth 60 mijë banorë.

MARKETING