Raportime për pjesëmarrje rekord në zgjedhjet në Serbi – analistët e shohin si një ‘sinjal alarmi’ për pushtetin e Vuçiqit
Raportet e hershme sugjerojnë se votuesit serbë kanë dalë në numër të madh në zgjedhjet e vendit, ndërsa një lëvizje protestuese studentore përpiqet t’i japë fund sundimit të liderit të saj populist të krahut të djathtë.
Të dhënat paraprake nga zgjedhjet parlamentare tregojnë një pjesëmarrje rekord; deri në orën 14:00 me orën lokale, 46% e votuesve e kishin hedhur tashmë votën e tyre – shifër kjo që është pothuajse një milion më e lartë se ajo e regjistruar në zgjedhjet e mëparshme të dhjetorit 2023, shkruajnë mediat e huaja.
Kjo pjesëmarrje e lartë po rrit shpresat e “Listës Studentore” (Student List) – një forcë opozitare – se mund t’i largojnë nga pushteti Aleksandar Vuçiqin dhe Partinë e tij Progresive Serbe (SNS), të cilët qeverisin që nga viti 2012.
Zgjedhjet e parakohshme, të shpallura nga Vuçiqi, vijnë pas dy vitesh protesta studentore, të cilat u nxitën nga shembja e çatisë së një stacioni treni në vitin 2024 – ngjarje që shkaktoi 16 viktima dhe u pa si simbol i korrupsionit e neglizhencës në Serbi.
Lëvizja kundër korrupsionit “Lista Studentore” garon me një program që përfshin: largimin e zyrtarëve që kanë shkelur rregullat gjatë shtypjes së protestave, ndalimin e emërimit të besnikëve partiakë në krye të ndërmarrjeve publike, si dhe çlirimin e transmetuesit publik nga kontrolli politik.
Vuçiqi dhe partia SNS i mohojnë akuzat për korrupsion dhe përpjekjet për të ndikuar te mediat.
Shumica e analistëve vlerësojnë se një pjesëmarrje e lartë përfundimtare – prej 65% ose më shumë – do të ishte në favor të studentëve.
Votimi mbyllet në orën 20:00, ndërsa treguesit e parë të rezultateve priten dy orë më vonë.
Radhë të gjata janë krijuar jashtë qendrave të votimit, si në qytetet e mëdha ashtu edhe në ato më të vogla në Serbi, si dhe në qendrat e votimit jashtë vendit.
Ndërkohë, raportohet se tensionet janë të larta në mbarë Serbinë. Në Beograd, policia ka bllokuar rrugët përreth Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK).

