Netanyahu thotë se fundi i ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin është “vetëm çështje kohe”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të premten se Izraeli duhet të përgatitet për përfundimin e ndihmës ushtarake amerikane me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, duke e cilësuar këtë skenar si “vetëm çështje kohe”, transmeton Anadolu.
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Izrael, Netanyahu i tha televizionit izraelit Kanali 10 se ka urdhëruar përgatitjet për sanksione të mundshme ekonomike dhe bankare, përfshirë shqyrtimin e alternativave në fushën e teknologjive financiare.
“Nëse mendoni se do të vazhdojmë të marrim atë që sigurova dy herë, pra dhjetëra miliarda dollarë ndihmë amerikane për buxhetin e mbrojtjes, përgatituni dhe mësohuni me faktin se kjo nuk do të ndodhë, sepse Amerika ka ndryshuar”, tha ai, duke iu referuar me sa duket kundërshtimit në rritje në SHBA ndaj kësaj ndihme, në dritën e gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe keqtrajtimit të palestinezëve.
“Kjo ka marrë fund dhe do të përfundojë. Është vetëm çështje kohe”, shtoi ai.
Netanyahu nuk dha një datë për përfundimin e ndihmës dhe nuk njoftoi ndonjë vendim zyrtar të SHBA-së, por bëri thirrje për përgatitje në rast të ndërprerjes së mundshme të saj në të ardhmen.
Lidhur me sanksionet e mundshme, ai tha se Izraeli duhet të zhvillojë mekanizma alternativë ekonomikë dhe financiarë.
“Duhet të kuptoni se mund të ketë sanksione, përfshirë sanksione bankare. Duhet të përgatitni një ekonomi që mund t’i anashkalojë ato”, tha ai.
I pyetur nëse teknologjia blockchain mund të ofrojë një alternativë për t’u përballur me sanksionet ekonomike, Netanyahu u përgjigj: “Po, kjo është një nga mënyrat. Dhe unë tashmë kam kërkuar që të përgatitet një plan”.
– Opozita kërkon zëvendësimin e qeverisë së Netanyahut
Kreu i partisë opozitare Demokratët, Yair Golan, kritikoi deklaratat e Netanyahut në platformën sociale amerikane X, duke e akuzuar atë se është i shkëputur nga realiteti.
Ai pohoi se shmangia e sanksioneve ekonomike kërkon luftimin e “terrorizmit hebraik”, i cili dëmton pozitën ndërkombëtare të Izraelit, ruajtjen e aleancave strategjike dhe zëvendësimin e qeverisë në zgjedhjet e javës së ardhshme.
Golan bëri thirrje për formimin e një qeverie të re “pa Netanyahun, Ben-Gvirin dhe Derin”, duke iu referuar ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe kreut të partisë Shas, Aryeh Deri.
Deklaratat vijnë katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të së martës në Izrael, në një kohë kur po zhvillohet debat mbi marrëdhëniet me aleatët perëndimorë dhe pasojat e mundshme të sanksioneve ekonomike.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me Washingtonin në vitin 2016, Izraeli përfiton 38 miliardë dollarë ndihmë ushtarake gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, e cila përfundon në vitin 2028.
Netanyahu ka bërë më parë thirrje për uljen e varësisë së Izraelit nga ndihma ushtarake amerikane dhe forcimin e industrisë vendase të mbrojtjes.

